Ashtu siç edhe paralajmëruan ditën e shtunë, Sali Berisha tentoi dje të pushtonte me dhunë selinë e Partisë Demokratike, bashkë më një grup me ish-pushtetarë të korruptuar, financues të familjes së tij, njerëz të krimit të organizuar, mafies, trafiqeve dhe me persona të skeduar nga amerikanët si krahu i krimit në Shqipëri.
Sali Berisha nuk kishte një plan për ta pushtuar dje vërtetë selinë e PD-së nga e cila është përjashtuar si i korruptuar, por synonte që t’u ‘maste pulsin’ Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe SPAK-ut se sa këto të fundit do ta tolerojnë në rrugën e marrëzisë së tij dhe panikut për të gjetur me çdo kusht një strehë politike për familjen e tij.
Tentativa e djeshme e Sali Berishës, nën vëzhgimin e përfaqësuesve të Perëndimit në Shqipëri, shërbimeve informative dhe SPAK, ishte një test për të organizuar një sulm të dytë dhe të dhunshëm, për të pushtuar vërtetë selinë e PD-së, duke dëbuar me forcë Lulzim Bashën dhe mbështetësit e tij nga selia.
Berisha u paraqit fillimisht si anëtar i thjeshtë duke u futur në seli dhe sapo gjeti një sallë të lirë, nisi të fliste si pronar i Partisë Demokratike, duke e konsideruar këtë të fundit një pronë të familjes së tij. Në seli u shfaqën menjëherë edhe grupi i tij qesharak, i ashtuquajtur grupi i rithemelimit të PD-së, një strukturë paralele dhe paramilitare e Sali Berishës. Gjysma e anëtarëve të këtij grupi nuk marrin vizë amerikane, si të korruptuar.
Ata thanë se do vijojnë të zhvillojnë mbledhjet në selinë e PD-së. Ndërkohë që një nga personazhet më butaforikë të grupit të Berishës, Belind Këlliçi, u kujtua të kërkonte vulën dhe çelësin e zyrës së kryetarit të FRPD-së, edhe pse nuk e mban më këtë post. Grupi i Berishës, në kudër të testit dhe matjes së pulsit SHBA-ve dhe SPAK, tentoi edhe të përplasej fizikisht me mbështetësit e Bashës.
Kurrë në historinë e pluralizmit në Shqipëri nuk ka pasur një situatë më groteske dhe të degraduar, ku të dy grupet e shpallin njëri-tjetrin zaptues të selisë së PD. E gjithë kjo panoramë degraduese ka një protagonist, Sali Berishën, i shpallur nga SHBA në listën e zezë si koka e korrupsionit dhe krimit në Ballkan.
Ndërsa situata në selinë e PD-së mund të degjeneronte nga momenti në moment në dhunë masive, Sali Berisha befas ia mbathi nga selia e PD-së. Në të njëjtën kohë sinjalizoi edhe bandën e tij që të tërhiqej nga selia. Në rrethet politike dhe mediatike flitet se Sali Berisha ka marrë një mesazh misterioz dhe kërcënues për t’u tërhequr sa nuk ishte vonë nga selia e PD-së.
Megjithatë, tentativa e djeshme për pushtimin me dhunë të Partisë Demokratike përmban elemente të veprave penale të mjaftueshme që SPAK të procedojë penalisht Sali Berishën.
Konkretisht janë konsumuar veprat penale të pushtimit me dhunë të ndërtesave, pjesë e kryengritjes, kur për organizatorët parashikohet deri edhe burgim të përjetshëm. Është konsumuar nga Sali Berisha vepra penale e zaptimit dhe shkatërrimit të pronës, si dhe vjedhja e simboleve të Partisë Demokratike./Pamfleti