Bien tentativat e presidentit për të mbajtur peng emërimet e reja në Gjykatën Kushtetuese. Më 18 dhjetor shqyrtohet shkarkimi i presidentit dhe ky i fundit ka bërë një luftë të fortë në prapaskenë që të mos ndryshojnë balancat në Kushtetuese.
Kjo e fundit ka momentalisht 7 anëtarë dhe Vitore Tusha është pa mandat. I vetmi institucion që nuk ka plotësuar vakancat në Kushtetuese është Gjykata e Lartë, e cila që në korrik nisi punën për të plotësuar 2 nga 3 vende. Por puna hasi shumë vështirësi pasi presidenti tentoi të ndikonte në KED që të mos plotësohen 2 vakncat sidomos ajo e Vitore Tushës.
Pak ditë më parë KED kualifikoi 4 kandidatë për vendin vakant të Fatmir Hoxhës dhe nisi procesin e pikëzimit, por për Tushën puna u bllokua me argumentin se ishin kualifikuar vetëm 2 emra dhe jo 3 sa e kërkon ligji. Por teksa po punohej që të emërohej vetëm 1 emër dhe Tusha të mbahej në detyrë pavarësisht se është pa mandat, situata ndryshoi.
Gjykata Administrative e Apelit pranoi një padi të kandidates Zhaklina Peto, e cila u skualifikua nga procesi. Ditën e djeshme KED u mblodh për të shqyrtuar mbi vendimin e gjykatës. “Bazuar në Ligjin Nr. 115/2016 “Për organet e Qeverisjes së sistemit të Drejtësisë” dhe “Rregullores së Brendshme për Funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi” (e përditësuar), K.E.D. njofton thirrjen e mbledhjes së radhës; “Ditën e martë më datë 14 Dhjetor 2021, ora 15.00 pranë Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, me këtë rend dite: 1. Njohja e anëtarëve më vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit në lidhje me çështjen Zhaklina Peto kundër / KED 2021.
Njohja me konstatimet dhe detyrimet e lëna nga gjykata për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi në rastin konkret. Diskutim mbi hapat që do të ndërmerren lidhur me rastin konkret dhe vijueshmërinë e procesit”, tha KED përmes një njoftimi për mediat. Burime të sigurta nga mbledhja i thanë gazetës se KED ka vendosur që Peto të vijojë me procesin kandidimit dhe do të bëhet pjesë e renditjes së kandidatëve. Asaj i janë lënë disa ditë kohë që të përgatitet për intervistën dhe procesin e dokumentacionit. Me kualifikimin e saj kemi 3 kandidatë të nevojshëm për vendin vakant të Vitore Tushës dhe 3 emra të nevojshëm për vendin e Fatmir Hoxhës.
Renditja e kandidatëve
Javën që lamë pas Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka nisur procesin e renditjes së kandidatëve për vakancën e Fatmir Hoxhës. Sipas ligjit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas vlerësimit të kushteve dhe kritereve të emërimit, brenda 10 ditëve rendit kandidatët dhe i paraqet kryetarit të Gjykatës së Lartë raportin e miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve, bashkë me listën dhe dokumentacionin shoqërues, për çdo kandidat.
Raporti i arsyetuar, pasi miratohet me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, publikohet. Më pas, kryetari i Gjykatës së Lartë thërret mbledhjen e Posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Mbledhja është e vlefshme nëse marrin pjesë jo më pak se një e dyta e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Nëse nuk arrihet shumica e nevojshme, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi konsiderohet i zgjedhur./ SOT