Ish-kryeministri Sali Berisha duket i vendosur për të provokuar trazira në Partinë Demokratike pas 18 dhjetorit. Dy ditë më parë ish-kryeministri Berisha mësyu në selinë e PD-së, duke kryesuar grupin e Rithemelimit, i krijuar në Kuvendin e thirrur prej tij, situatë kjo që u shoqëru edhe me tension.
Por gazeta ka mësuar se një situatë e tillë do të përsëritet, pasi Berisha dhe besnikët e tij po përgatiten që të “pushtojnë” godinë e Partisë Demokratike. Sipas informacioneve, mësohet se qysh prej ditës së hënë njerëzit e Berishës kanë nisur të hartojnë planet dhe kanë bërë thirrje që pas referendumit të 18 dhjetorit, ku do të votohet edhe shkarkimi i kryedemokratit Lulzim Basha, të gjithë të bashkohen dhe mësyjnë në selinë blu.
Madje, një gjë të tillë e pohoi dy ditë më parë edhe vetë zoti Berisha, teksa ishte duke folur për “Syri TV”. “Sot u mor Kështjella. Unë i them deputetit Basha, mos u rretho me gangsterë, se nuk të prek njeri me dorë. Nuk të prek kush me dorë, absolutisht.
Me datë 18 dhjetor bëhet shkarkimi ceremonial i Bashës, me vullnet të demokratëve. Basha edhe sot nuk është më kryetar. Por pas shkarkimit më 18 dhjetor ai nuk ka më punë në zyrë”, deklaroi Berisha. Pra, duket qartë se Berisha dhe ithtarët e tij po përgatiten për të mos lejuar futjen e Bashës në zyrë.
Shantazhe në prapaskenë për referendumin
Por përgatitjet për trazira dhe mësymja brenda selisë blu nuk është i vetmi plan i ish-kryeministrit Sali Berisha. Mësohet se ky i fundit ka porositur njerëzit e tij që të kërcënojnë dhe shantazhojnë anëtarët dhe krerët e degëve të Partisë Demokratike që t’i bashkohen referendumit të 18 dhjetorit që mbahen këtë të shtunë.
Mirëpo në këtë datë Lulzim Basha ka thirrur Kuvendin Kombëtar dhe gazeta ka mësuar se janë rreth 60 krerë degësh të PD nga 71 që ka gjithë vendi, të cilët do të jenë të pranishëm në takimin e thirrur nga kryedemokrati. Kështu që në kushtet kur Berisha ka nevojë për krerët e degëve, pasi edhe votimi për shkarkimin e Bashës do të mbahet në ambientet ku janë degët e Partisë Demokratike, ushtarët e tij janë hedhur në veprim. Mësohet se ata po kërcënojnë dhe po iu bëjnë presion krerëve të degëve të mos shkojnë në Kuvendin e Bashës.
Pra qëllimi i kësaj ofensive që po ndërmerr Berisha dhe njerëzit e tij në prapaskenë është se ata kanë frikë se iu dështon referendumi dhe se nëse i gjejnë kyçur selitë e PD, ata i bie që t’i ngrenë qendrat e votimit në ambientet të tjera, përfshi këtu lokale private.
Berisha vë në monitorim selinë e PD
Megjithatë nga ana tjetër mësohet se ish-kryeministri Sali Berisha nuk ka humbur kohë, por ka vënë edhe në monitorim selinë blu. Burime të sigurta i thanë ditën e djeshme gazetës së gjatë gjithë ditës persona të panjohur hynin dhe dilnin brenda godinës së Partisë Demokratike, madje ka pasur edhe provokime nga ata, kundrejt nëpunësve të selisë dhe tek-tuk edhe shikime provokuese edhe ndaj deputetëve të pozicionuar tashmë në krah të kreut të PD, Lulzim Basha.
Kështu që paralelisht me përgatitjen për trazira pas 18 dhjetorit, nisjen e shantazheve në prapaskenë për referendumin, Berisha ka urdhëruar ithtarët e tij që të monitorojnë selinë e Partisë Demokratike, me qëllim që të ketë dijeni për gjithçka çfarë ndodh aty. Sidoqoftë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.