Arrestimi i ish-ministrit Lefter Koka, për kryeministrin Edi Rama nuk i bën përshtypje, kjo sepse për të, investimi për inceneratorin e Elbasanit është aty për qytetarët dhe së dyti sepse ky është një tregues i qartë që Reforma në Drejtësi funksionon.
Ky është reagimi i parë i shefit të qeverisë për një nga arrestimet më të bujshme të SPAK të ditëve të fundit dhe këtë ka zgjedhur që ta bëjë duke iu përgjigjur një komentuesi në Facebook.
Qytetari i referohet akuzave të forta që bëri sot Lulzim Basha për atë që quan afera e inceneratorëve, ku ishte i përfshirë Lefter Koka, por Rama thotë se kjo nuk është përgjegjësi individuale, jo politike e as kolektive. Ai përsërit deklaratën se PS-ja nuk do t’i bëhet mburojë jo vetëm Leftër Kokës, por askujt që përballet me drejtësinë.
“Syrja Islami halle halle kjo dynja halli hallit nuk i ngja thotë populli. Por që t’i përgjigjem thelbit të komentit tënd, edhe impiantet moderne të përpunimit të mbetjeve, që i kanë hapur rrugën e shpëtimit afatgjatë nga ndotja e rëndë e plehrave zonës së Elbasanit, Tiranës e Fierit.
Reforma në Drejtësi po se po, janë vepra të shumicës sonë qeverisë për të cilat unë jam e do të jem gjithnjë krenar, kështu që euforia baltosëse e atyre që bëjnë politike me akuza e me moton shpif e shpif se diçka do mbetet, për arsye të ndalimit dje nga SPAKU të ish-ministrit të mjedisit, nuk më bën asnjë përshtypje.
Arsyea është se investimi në Elbasan është aty, në sytë e të gjithëve e në bazë të kontratës tanimë ai është pronë publike e bashkisë së Elbasanit që do të shërbejë për të vazhduar mbrojtjen e zonës nga ndotja, ndërsa nga ana tjetër çështja e ish-ministrit me SPAK-un dhe drejtësinë, nuk është as çështje politike, as çështje partiake, as çështje kolektive, po çështje individuale.
Ne nuk e kemi udhëhequr dhe nuk e mbështesim pa kushte Reformën në Drejtësi, si palë politike po si forcë udhëheqëse politike e morale e shqiptareve pa dallim, kështu që për mua e për Partine Socialiste mbetet e pandryshuar vija e kuqe e ditës së pare në detyrë: Cilidoqoftë, pa dallim partie duhet të përballet vetë me drejtësinë!
Dhe cilindoqoftë nder ne, që merret si i pandehur nga organet e pavarura të drejtësisë, duhet të ballafaqohet me drejtësinë bashke me avokatin e vet, sepse Partia Socialiste nuk është zyrë avokatie e askujt prej nesh dhe deri në vendimin përfundimtar gjyqësor, askush nder ne që ka punë me drejtësinë nuk mund të jetë pjese e familjes sonë politike. Kaq”, shkruan Rama.
SPAK prangosi dje ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për dosjen e shumëpërfolur, atë të inceneratorit në Elbasan. SPAK e akuzon Lefter Kokën për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, tre akuza të rënda me të cilat ish-ministri tashmë do nisë betejën e tij me drejtësinë, teksa janë sekuestruar edhe kompanitë “Albtek Energy”, pra inceneratori i Elbasanit, “Integrated Technology Services” si edhe aksionet e Kokës në “Kantinën e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu”. Nga ana tjetër, janë shpallur në kërkim edhe Stela Gugalli, e cila në sistemin TIMS rezulton se është jashtë shtetit si dhe Klodian Zoto.