Sot ikona e skenës dhe filmit feston 89-vjetorin e saj. Tinka Kurti është një nga aktoret më të njohura shqiptare dhe mban mbi supe 60 vite karrierë ku numëron më shumë se 50 filma artistikë dhe 150 shfaqje teatrore.
Kurti është vlerësuar me çmimin Artist i Popullit në Shqipëri dhe Mjeshtër i Madh i Punës.
Ajo u lind në Sarajevë dhe është e bija e Dedë Kolë Thanit dhe gruas së tij hungareze Elizabeta. Kur ishte në moshë të vogël familja e artistes u shpërngul në Shkodër ku kaloi pjesën më të madhe të jetës dhe iu bashkua teatrit në moshë të re.
Disa nga veprat ku Kurti pati role të sukseshme janë Nënë Pashako tek “Yjet e netëve të gjata”, Sinjorina Mançini tek “vajzat me kordele të kuqe”, Gjyshja tek “Zemra e nënës” dhe shumë role të tjera.
Përveç çmimeve të shumta në festivalet kombëtare të filmit gjithashtu dy kinema dhe një shkollë në Tiranë dhe në Durrës mbajnë emrin e saj.
“Nuk e kam frikë plakjen e as vdekjen, por kam frikë nga plakja e trurit, dhe në qoftë se ky moment vjen në jetën time, mendoj se do të isha dy herë e vdekur. Për këtë arsye dua të vazhdoj të punoj” është shprehur artistja në daljet e saj.