Kryeministri Edi Rama, në rolin e analistit, ka ironizuar debatin brenda Partisë Demokratike, veçanërisht me pretendimin e mbështetësve të Berishës se kryedemokrati Basha ka ndërruar bravat e selisë blu.
Gjatë emisionit “Zonë e Lirë”, Rama deklaron se Basha është një “bravë që nuk mund të hapet, ndërsa Berisha një çelës që nuk hap”.
Sipas tij, situata brenda PD-së mund të shkojë dhe në dajak, por kjo nuk e legjitimon lidershipin.
Rama: Që ta bësh Ramën që të iki para kohës kur të ikë vetë, nuk e zgjidh as me bravën pa çelës e as me çelësin pa bravë.
Aty situata është shumë qesharake, nuk udhëheq më arsyeja, por udhëheq marrëzia si një përpjekje ekstreme për të kontrolluar të tashmen. Brava dhe çelësi nuk ka bashkëpunim. Basha është brava që nuk hapet, ndërsa ai tjetri është çelësi që nuk hap. Marrëzia këtu mund të shkojë edhe me dajak. A është legjitimimi i lidershipit?
Arjan Çuri: Ky dajak e përshpejton shumë procedurën…
Rama: Procedurën për të degraduar partinë. Janë dy kufoma politike, që janë kapur pas njëra-tjetrës, në emër të hijeve të shkuarës. Janë njësoj. Njëri është bravë, tjetri si çelës. Janë njësoj në fatkeqësinë e tyre.