Kreu demokrat Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha do të mbajnë sot betejën finale sa i takon drejtimit të Partisë Demokratike.
Kreu demokrat do të mbajë Kuvendin Kombëtar të PD, në Pallatin e Kongreseve në orën 11:00 ndërsa Berisha do të mbajë një referendum.
Teksa deri më tani ka pasur presione dhe luftë se kush Kuvend do mbahet, sot do jetë faza finale dhe nga e diela e në vazhdim pritet që palët të përplasen ashpër. Berisha ka paralajmëruar se do e largojë me dhunë Bashën, ndërsa Basha pritet tu mbyllë derën ithtarëve të foltores. Kreu demokrat duket i vendosur për të pastruar partinë nga njerëzit e Berishës.
Pasi shkarkoi 12 krerët e degëve Shijak, Fushë-Krujë, Tiranë degët 1, 3, 9, 10, Paskuqan, Devoll, Kolonjë, Kuçovë, Vlorë dhe Gjirokastër, ditën e djeshme Basha ka emëruar12 kryetarët e rinj. Degët e Tiranës do të kenë si drejtues politik nënkryetarët e PD, Enkelejd Alibeaj, Jorida Tabaku, Grida Duma dhe Alfred Rushaj.
Në degën e Devollit u emërua Bledion Nallbati ndërsa në degën e Shijakut është emëruar Red Varaku. Kujtojmë po ashtu se Këshilli Kombëtar i PD-së, shkarkoi më 12 dhjetor kryetarin e Këshillit Kombëtar Edi Paloka, anëtarët e kryesisë, Flamur Nokës, Aldo Bumçit, Gent Strazimirit, Albana Vokshit, Oerd Bylykbashit si dhe sekretarët Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Këlliçi e Ledina Mandia teksa pritet edhe zëvendësimi i tyre me emra të rinj.
Po ashtu PD depozitoi në Kuvend edhe një kërkesë për të larguar Albana Vokshin nga kryetare e Komisionit të Shëndetësisë, Flamur Nokën nga Komisioni i Sigurisë, Oerd Bylykbashin nga Komisioni i Ligjeve dhe Belind Këlliçi nga Komisioni i Integrimit. Emrat e rinj kanë pasur takime dhe kanë mobilizuar bazën që të marrë pjesë në Kuvend.
Ja çfarë pritet të sjellë Kuvendi
Në Kuvend pritet të diskutohet mbi situatën aktuale brenda Partisë Demokratike dhe agjendën e saj sa i përket betejës në Parlament. Lidhur me situatën e brendshme PD duket se nuk do të njohë asnjë nga vendimet e Kuvendit të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha si dhe do të mbajë një qëndrim ndaj rolit të tij në parti.
Ndërkohë lidhur me organizimin e thirrjen e Kuvendit në draft vendim ka dhe një tjetër pikë me rëndësi që ka të bëjë me disiplinimin e strukturave. Këtu Basha iu referohet të gjithë atyre që kanë vendosur të mbështesin ish-kryeministrin duke krijuar struktura paralele. Sipas vendimit, çdo veprim apo akt që bie në kundërshti me vendimet e Kryesisë, përbën dëm për interesat elektorale dhe politike të PD.
“Çdo veprim apo akt tjetër, në çdo formë apo mënyrë, që bie ndesh me këtë vendim të Kryesisë së Partisë, do të përbënte dëmtim të interesave elektorale dhe politike të Partisë Demokratike”, thuhet në pikën 3 të vendimit të propozuar nga kreu i PD. Pritet që pas Kuvendit të 18 dhjetorit, në PD të ketë një valë shkarkimesh funksionarësh duke i vendosur edhe strukturat në proces zgjedhor. Nga ana tjetër në rendin e ditës, do të miratohet një program organizativ për ta përgatitur PD-në për zgjedhjet e ardhshme.
“Miratimin e Aksionit Politik për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe shpalljen e Platformës Qytetare për Demokraci, për rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend, si dhe ndërtimin e mekanizimit të bashkëpunimit me të gjitha forcat e shoqërisë në përballjen me regjimin e Edi Ramës, i cili në aleancë me krimin e organizuar dhe korrupsionin ka shkatërruar çdo mjet të funksionimit demokratik të shtetit shqiptar”, thuhet në agjendë. Si ish-kryeministri ashtu edhe kreu demokrat pretendojnë që pas procesit të marrin drejtimin e partisë.