Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj gjatë dorëzimit të 153 banesave në pallatet e reja në Kavajë, të rindërtuara pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 tregoi edhe përplasjet politike që ka pasur procesi i ndërtimit të shtëpive të reja.
Ahmetaj rrëfeu një episod që kishte hasur me kreun e PD-së, Golem i cili kishte deklaruar se ‘komunistët’ do ndërtojnë shtëpitë për njerëzit e tyre dhe të tjerët do t’i lënë rrugëve.
Duke iu referuar kësaj deklarate, Ahmetaj tha se çelësi i parë iu dorëzua vetë kryetarit të PD-së, Golem për të treguar se procesi i rindërtimit nuk varet nga ngjyrat apo dallimet partiake.
“Në një debat kur kemi qenë para 1 viti në kodrat e Golemit, ai kryetari i PD-së lëshonte fjalë dhe thoshte; Ej ju komunistët do bëni shtëpi për vete, do na lini rrugëve.
Çelësin e parë e mori ai për të treguar që procesi i rindërtimit është një proces shumë shpirtëror, nuk është proces as tulla-llaç, as financiar, por është një proces shpirtëror solidariteti i një kryeministri, i një qeverie, i një mazhorance për një popull të tërë pa dallim ngjyrash, pa dallim krahinash pa absolutisht asnjë dallim”, theksoi Ahmetaj në fjalën e tij në Kavajë.
Sipas Ahmetajt, qeveria e kryeministrit Rama nuk ka lënë asnjë pas në procesin e rindërtimit, edhe pse jo të gjithë këta banorë sipas ministrit, mund të kenë votuar për Edi Ramën.
“Jam i bindur që këtu përballë në 153 familje jo kushdo ka votuar Edi Ramën, jo kushdo ka votuar Partinë Socialiste, ama sot është i bindur që ky kryeministër dhe ky kryeministër e mban fjalën dhe nuk mban askënd mbrapa. Kavaja ka pasur disa simbole obeliskë të demokracisë diku të deformuar rrugës.
I gjithë ky bllok është një obelisk solidariteti që mban emrin e këtij kryeministri dhe të kësaj mazhorance për Kavajën dhe për të gjithë Shqipërinë.
Po përjetoj këtë pjesën e festave me një emocion shumë të veçantë dhe një kënaqësi që jam mundur ta fsheh, që dhënia e shtëpive familjeve, kthimi i familjeve në shtëpitë e tyre është një nga kënaqësitë më të mëdha të punës sime si punonjës publik“, u shpreh më tej Ahmetaj.