Ndahet nga jeta në moshën 58-vjeçare regjisori i njohur kanadez Jean-Marc Vallée, i cili drejtoi dramën e vitit 2013 “Dallas Buyers Club”.
CNN raporton se ai vdiq të dielën pranë Quebec City, në Kanada. Lajmi u konfirmua për CNN nga publicisti i kompanisë së tij të prodhimit.
“Ai ishte një mik, partner krijues dhe një vëlla i madh për mua.”- tha në një deklaratë Nathan Ross, një partner i Vallée, në kompaninë e prodhimit Crazyrose.
“Maestro do të na mungojë shumë, por është ngushëllim të dish se stili i tij i bukur dhe puna me ndikim që ai ndau me botën do të vazhdojë të jetojë.”
Regjisori filloi të punojë në videoklipe kanadeze dhe tema të shkurtra, përpara se të bënte debutimin e tij artistik me filmin në gjuhën franceze “Liste noire”, i njohur gjithashtu me titullin e tij në anglisht “Lista e zezë”.
Por ai filloi vërtet të vlerësohej me filmin e realizuar në SHBA në vitin 2013 “Dallas Buyers Club”, i bazuar në historinë e vërtetë të një pacienti me SIDA, i cili bëhet distributor i trajtimeve eksperimentale.
Megjithëse regjia e Vallée nuk u njoh nga Akademia, filmi i tij u nominua për filmin më të mirë, ndërsa aktorët kryesorë që luanin në të Matthew McConaughey dhe Jared Leto fituan të dy çmime “Oscar” për interpretimet e tyre.
Vallée hyri në prodhimin televiziv në vitin 2017 si producent ekzekutiv i dramës së HBO “Big Little Lies”. Ai gjithashtu drejtoi të gjithë sezonin e parë të serialit, duke fituar një “Emmy”.
Më vonë ai prodhoi serialin “Sharp Objects”, gjithashtu për HBO dhe drejtoi çdo episod të tij. Vallée dhe Ross kishin nënshkruar një marrëveshje të re zhvillimi me HBO në prill.