Nga Elvis Hila
Çështja e tjetërsimi të pronave në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin do të rishqyrtohet sërish nga Gjykata e Apelit në Shkodër.
Vendimi është marrë nga Gjykata e Lartë, e cila pranoi rekursin që kishte bërë Prokuroria e Apelit dhe vendosi prishjen e vendimit së Gjykatës së Apelit në Shkodër, duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në atë gjykatë me tjetër trup gjykues.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë ne shtator 2020, shpalli fajtor 17 të pandehur, përfshirë ish-kryetarin e bashkisë Lezhë Fran Frrokaj, i cili u dënua me katër vite burg për “shpërdorim detyre”, për akuzën e tjetërsimit të pronave tek Rana e Hedhun në bregdetin e Shëngjinit.
Në mars 2021, Gjykata e Apelit Shkodër e riktheu çështjen për gjykim në Shkallën e Parë, me pretendimin se nuk është zhvilluar si një proces i rregullt ligjor.
Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin kanë nisur në vitin 2017-të, kur në prokurori u denoncua tjetërsimi i 234 mijë e 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte.
Fillimisht në këtë çështje sëbashku me kryebashkiakun u arrestuan edhe 22 persona të tjerë, por në gjykatë dosja u dërgua për 18 persona, nga të cilët vetëm një u shpall i pafajshëm.