Shtetet e Bashkuara të Amerikë i kanë dhënë dje goditjen e shtatë Sali Berishës, emblemës dhe perandorit të krimit, korrupsionit, zhdukjeve, shkatërrimit të gjithanshëm dhe plaçkitjes në Shqipëri; njeriut që shiti territore, bashkëpunëtorit të Millosheviçit, armikut të përbetuar të UÇK-së, katastrofës së pronave, njeriut që hapi depot e armëve në ’97, organizatorit të konfliktit në Tropojë me mbi 150 djem të vrarë, njeriut që urdhëroi bombardimin e Jugut, njeriut të piramidave, vjedhjes së zgjedhjeve, Gërdecit, 21 Janarit, përgjimeve, shantazhit, frontit anti-Perëndim etj., pra dramës së pluralizmit në Shqipëri etj.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim, në emër të SHBA, i kërkoi dje Lulzim Bashës në mënyrë ultimative largimin e Sali Berishës nga parlamenti i ri dhe rrjedhimisht nga politika shqiptare. Ultimatumi amerikan për fundin politik të Berishës, vjen pas një serie goditjesh të mirëmenduara për të shpëtuar një herë e mirë shqiptarët dhe Shqipërinë nga ‘plaku i krimit’, i cili pas rrëzimit nga pushteti në 2013, ka marrë peng Partinë Demokratike, duke e përdorur si bunker për t’u mbrojtur nga drejtësia e re, si armë për destabilizim dhe llogore për të sulmuar SHBA-BE.
Pas vrasjeve të 21 Janarit 2011, SHBA-BE i dhanë goditjen e parë Sali Berishës që kur i besuan rotacionin politik në 2005, duke i falur malin e krimeve në vitet 1996, 1997 dhe 1998. Pas vrasjeve të 21 Janarit në bulevard, me urdhër të tij, Sali Berisha u izolua nga SHBA-BE. Ky është momenti kur nisi krisja e madhe dhe e pakthyeshme. Dy vjet më vonë, në 2013, ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu doli në fushatë për rrëzimin e Sali Berishës nga pushteti.
Pas zgjedhjeve, ambasadori amerikan tha se përmbysja e Berishës nga pushteti ishte aq e rëndësishme sa rrëzimi i Ramiz Alisë në 1992.
Një vit më vonë, në 2014, SHBA-BE nisën lëvizjet e para për reformën në Drejtësi, për të hequr duart e Berishës mbi gjykatat dhe prokuroritë. Miratimi i reformës në Drejtësi natën e 22 korrikur 2016, nën kamzhikun amerikan, ishte një ditë e zezë për Sali Berishën dhe aletatin e tij Ilir Meta.
Ashtu siç edhe pritej, gjatë tre viteve në vijim, Sali Berisha mori goditjen më të rëndë nga Perëndimi. Përmes ligjit të Vetingut, SHBA-BE shpartalluan bandën e ushtarëve prokurorë dhe gjyqtarë të dyshes Berisha-Meta në gjyqësor. Mbi 220 prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar dhe të lidhur me krimin i përlau përroi i Vetingut, ndërsa edhe 300 të tjerë pritet t’i rrëzojë në vijim.
Në mars të 2017, Berisha mori një tjetër goditje shkallmuese. Në bashkëpunim me ndërkombëtarët, u arrit çlirimi i Shërbimit Informativ Shtetëror, të cilin Berisha e kontrollonte përmes ushtarit të tij, Visho Ajazi Lika, të cilin e kishte të besuar që nga SHIK-u famëkeq i ’96, me në krye Bashkim Gazideden. Visho Ajazi Lika, pas një marrëveshje me njerëzit e Perëndimit dhe Edi Ramën, dha dorëheqjen si kreu i SHISH dhe u emërua ambasador. Berisha e përdorte SHISH për të përgjuar kundërshtarët, aleatët, ambasadorët, por edhe vetë Bashën, gazetarët etj. Vetëm Ilir Metën rezultoi se e kishte përgjuar mbi 800 herë.
Disa muaj më pas, SHBA ‘bombarduan’ edhe një herë Sali Berishën dhe Ilir Metën. Ushtari më besnik i dyshes Berisha-Meta në drejtësi, Adriatik Llalla, u largua si kryeprokuror, më pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës e futën në listën e zezë për mbrojtjen e korrupsionit të dy padronëve të tij politikë. Llalla ia mbathi nga drejtësia për shkak të frikës nga Vetingu, por disa muaj më parë u dënua me dy vite burg për fshehje pasurie.
Në 19 maj 2021, Sali Berisha mori goditjen më fatale nga amerikanët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën të shpallnin Sali Berishën dhe familjen e tij në listën e zezë për korrupsion madhor, për afera me Ilir Metën, pengimin e drejtësisë dhe minimin e demokracisë në Shqipëri. Faktet tregojnë për një agazhim historik të SHBA për të çliruar politikën shqiptare nga Sali Berisha dhe trashëgimia e tij. Ultimatumi i fundit i Yuri Kim për largimin e Berishës nga Kuvendi dhe politika është një tjetër mesazh për Partinë Demokratike për të zgjedhur përfundimisht mes Perëndimit dhe Sali Berishës/Pamfleti