Juristi Romeo Kara e cilësoi si skandal mungesën e procedimit penal për ish-kryeministrin Sali Berisha pas kaosit në selinë e artise Demokratike. Për aktet e dhunshme, Policia vendosi në pranga 34 persona si dhe procedoi penalisht 18 të tjerë por mes tyre mungonte emri i Berishës.
Sipas juristit Berisha ka konsumuar një sërë veprash penale për të cilat duhet të mbajë përgjegjësi. Ai tha se gjithë rrëmuja e datës 8 janar ishte paralajmëruar dhe ishte bërë e ditur se financuesi dhe organizatori ishte ish-kryeministri.
Juristi u shpreh se është fyese për qytetarët kur shohin se funksionarët e organit të akuzës që paguhen nga taksat e tyre nuk arrestojnë atë që sjell destabilizim dhe vëllavrasje duke miu referuar Berishës. Sipas tij, arrestimi i ish-kryeministrit është sfida më e madhe e drejtësisë për të shpëtuar popullin nga rrënimi që Berisha sjell.
“E gjithë katrahura e datës 8 Janar 2022 në ambientet e PD-së, ka një periudhë publike tre mujore parapërgatitore dhe paralajmëruese e cila kulmoi pikërisht në këtë datë.
Organizatori, frymëzuesi, nxitësi, sponsorizuesi dhe realizuesi direkt, në publik dhe pa asnjë alibi justifikuese, është pikërisht Sali Berisha. Pasi tentativa u bë realitet, shqiptarët e vetëdijshëm dhe ata që e kanë të paktën minimumin e një kultivimi juridik, sot ndjehen të fyer, se përse ata që paguhen nga taksat tona nuk kryejnë detyrën e tyre si funksionarë të organit të akuzës, duke mos arrestuar strumbullarin e gjithë kësaj katrahure vëllavrasëse dhe destabilizuese.
Arrestimi i tij, është sot sfida e vërtetë e sistemit të drejtësisë dhe e shoqërisë sonë të përçudnuar nga ky rrënues”, tha ai.
Ja veprat penale
Juristi listoi 19 vepra penale që Berisha ka konsumuar nëse ballafaqohet aktiviteti i tij në tre muajt e fundit. Sipas juristit këto vepra përfshijnë kanosje për gjakmarrje, shkatërrimi i pronës, thirrje për dhunë, financim të terrorizimit, thirrja e bandave të armatosura, organizim e manifestime të paligjshme, pengimi me dhunë i aktivitetit të një partie e të tjera.
“Nëse do të ballafaqoj veprimet e këtyre tre muajve të fundit të Sali Berishës, sigurisht që do ta gjejë atë konsumues të shumicës së veprave penale të parashikuara nga klauzolat e mëposhtme ligjore: Neni 83/a Kanosja serioze për hakmarrje ose për gjakmarrje; Neni 83/b Nxitja për gjakmarrje; Neni 154 Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera; Neni 221 Kryengritja dhe thirrjet për armatosje ose marrja pa të drejtë e komandës 222; Thirrjet publike për veprime të dhunshme 223; Krijimi i partive dhe shoqatave antikushtetuese 224; Neni 230/a Financimi i terrorizmit; Neni 230/b, Fshehja e fondeve dhe e pasurive të tjera që financojnë terrorizmin; Neni 234/b Banda e armatosur; Neni 263 Organizimi i grumbullimeve dhe manifestimeve të paligjshme me pjesëmarrje të personave të armatosur; Neni 269 Pengimi me dhunë i veprimtarisë së partive politike; Neni 274 Prishja e qetësisë publike; Neni 277 Vetëgjyqësia; Neni 232/a Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave për qëllime terroriste”, deklaroi ai.
Veprat penale të kryera nga Berisha sipas juristit
1. Kanosja serioze për hakmarrje ose për gjakmarrje
2. Nxitja për gjakmarrje
3. Kanosja
4. Fyerja
5. Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera
6. Kryengritja dhe thirrjet për armatosje ose marrja pa të drejtë e komandës 222
7. Thirrjet publike për veprime të dhunshme
8. Krijimi i partive dhe shoqatave antikushtetuese
9. Vepra me qëllime terroriste
10. Financimi i terrorizmit
11. Fshehja e fondeve dhe e pasurive të tjera që financojnë terrorizmin
12. Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme
13. Organizata terroriste
14. Pengimi me dhunë i veprimtarisë së partive politike
15. Prishja e qetësisë publike
16. Vetëgjyqësia
17. Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave për qëllime terroriste
18. Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste
19. Krijimi i turmave të armatosura