Presidenti i Parlamentit Evropian David Sassoli ka vdekur në moshën 65 vjeçare. Sassoli u shtrua në spital në Itali muajin e kaluar për shkak të një komplikacioni serioz me sistemin e tij imunitar. Ai vdiq në orët e para të së martës në një spital në Aviano, njoftoi zëdhënësi i tij, Roberto Cuillo në Tëitter.
Në shtator, Presidenti Parlamentit Europian u dërgua në spital në Strasburg, ku u trajtua për një rast të rëndë të pneumonisë. Ai rifilloi detyrat e tij politike në nëntor.
Një votim për të zgjedhur zëvendësuesin e tij ishte planifikuar për në fund të këtij muaji dhe vetë Sassoli kishte thënë se ai nuk do të kërkonte rizgjedhjen. Ish-spikeri i lajmeve televizive u bë president i Parlamentit Evropian me 705 vende në korrik 2019.
Roli konsiderohet si një nga detyrat kryesore të bllokut dhe përfshin kryesimin e seancave dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve të parlamentit.
David Sassoli mundi tre kandidatë të tjerë për këtë rol dhe në një fjalim pas fitores së tij ai bëri thirrje që BE-ja t’i kthehet shpirtit të etërve të saj themelues që këmbyen luftën dhe nacionalizmin për paqen dhe barazinë. Sassoli la një karrierë tre dekadash në gazetari dhe u bë anëtar i Parlamentit Evropian (PE) në 2009.
Ai ishte anëtar i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve të qendrës së majtë, grupimi i dytë më i madh në parlament.
“Çfarë tronditje e madhe dhe humbje e madhe. Jam thellësisht i pikëlluar”, shkroi eurodeputeti Ismail Ertug në Tëitter. Një tjetër eurodeputet, Paolo Borchia, shprehu ngushëllimet për familjen e z. Sassoli dhe tha se lajmi e kishte lënë atë “të habitur”, raporton BBC.