Teksa ka komentuar protestën e 8 janarit të zhvilluar para selisë blu, deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka është shprehur se demokratët u ngritën në protestë për t’i thënë Lulzim Bashës që të ndërtojë bunker ku të dojë, por ama të lirojë shtëpinë e demokratëve.
Në një intervistë për Ora News, ai tha se Edi Rama dha urdhër të ndërhynte policia, pasi demokratët i shqetësuan pengun, duke lënë të nënkuptohet se fjala është për Bashën.
Flamur Noka: Rama ta marrë pengun dhe të krijojë një bunker ku të dojë, por nuk mund ta krijojë bunker në shtëpinë e demokratëve. Demokratët protestuan, për t’i thënë pengut që mund të ndërtojë bunker ku të dojë por të lirojë shtëpinë e demokratëve.
Rama bëri dhunë dhe terror, policior, gaz lotsjellës pa fund mbi demokratët sepse I shqëtësuam pengun. Nëse nuk do kishte një reagim të policisë, shtëpia do të u kthehej demokratëve, pengu do të çohej në shtëpinë e vet.
Noka shtoi se Ramës i duhet që shtëpia e lirisë të jetë burg, pasi i duhet të qëndrojë gjatë në pushtet.
Flamur Noka: Edi Rama kishte urdhëruar pengun që të mbyllej aty brenda, i ndërtoi bunkerin pengut. Kanë qenë dy ekspertë të dërguar nga qeveria që kanë projektuar ndërtimin e pengut.
E mësuan që të mbante edhe disa kolegë të mitë peng, dhe kur u pa që shtëpia e lirisë po lirohej, ndërhyri Edi Rama. Shtëpia e lirisë Ramës i duhet të jetë burg, pa diskutim Rama mendon se mund të mbretërojë më gjatë në pushtet.
Noka ka lëshuar akuza të forta ndaj Lulzim Bashës, duke thënë se këtij të fundit i është ngarkuar një mision nga ndërkombëtarët për të shkatërruar PD.
Flamur Noka: Protestat dhe vetëm protestat janë mjeti i vetëm për të rrëzuar një regjim. Por të gjitha protestat u drenazhuan në fund nga pengu sepse vula ishte dhënë me qira. Vulën e selisë sonë e kishte me qira Kryeministri. Pse u lanë të gjitha aksionet në gjysmë.
Pengut i është ngarkuar misioni për të shkatërruar PD, nga një ndërkombëtar përfaqësues i Gjorgj Soros: Duhet të shkatërrosh PD. Ai është në misionin e tij por edhe ne jemi në misionin tonë që të shpëtojmë PD.