Nga Mero Baze
Pas dështimit të 8 janarit, mbështetësit e Berishës, madje ata që mendonin se ai do ta merrte selinë me dhunë për 10 minuta, kanë ndryshuar tërësisht qasjen e tyre ndaj të ardhmes së Partisë Demokratike të ndarë mes Berishës dhe Bashës, dhe po flasin për një proces të ri zgjedhor, në të cilin duhet të votëbesohet Basha. Mbështetës i madh i kësaj teze është dhe Ilir Meta.
Ky qëndrim i ri është një zbythje nga Kuvendi i 11 dhjetorit dhe “referendum” i 18 dhjetorit, ku sipas Berishës 4440 vetë shkarkuan Bashën dhe 44 mijë të tjerë e ratifikuan shkarkimin me referendum.
Deri më 8 janar, “përmbaruesit” e Berishës që shkuan me vare dhe trarë hekuri në seli, ishin “përmbarues” të vendimit të këtij Kuvendi, pra atij të 11 dhjetorit.
Pas 8 janarit, “përmbaruesit” u harruan në qeli dhe në skenë kanë dalë përfituesit e 11 dhjetorit, LSI, Ilir Meta dhe të mbeturit të zhgënjyer nga impotenca e Berishës dhe braktisja e demokratëve për të.
Këta janë gati ta harrojnë 11 dhjeotrin, por duan zgjedhje të reja në PD. Këta në fakt u ftuan në Kuvendin normal të PD më 18 dhjetor dhe mund të shkonin aty nëse donin të votëbesonin Lulzim Bashën, por atëhere ishin nën euforinë e Berishës, që po e “shkarkonte”.
Në fakt, kërkesa për zgjedhje të reja në PD në këto kushte, është një mënyrë se si kriza të përsëritet dhe PD të mbahet në një krizë të përhershme, pa lejuar të funksionojë si një parti normale, pas ndarjes së fundit.
Berisha, i cili nuk pranon dot publikisht që projekti i tij ka dështuar, tani po përpiqet që përmes LSI dhe Ilir Metës, të krijojë një mekanizëm të vdekjes elektorale të PD, me qëllim që të ketë një shans të dytë për të bërë betejë me Lulzim Bashën.
Normalisht Partia Demokratike është ndarë dhe ne kemi në një anë Partinë Demokratike zyrtare të Lulzim Bashës, e mbështetur nga Perëndimi dhe pastruar nga çdo i akuzuar për korrupsion masiv dhe anti-amerikan, dhe nga ana tjetër një pol anti-perëndimor ku janë bashkuar në një, Berisha dhe Meta.
Vetë Sali Berisha ka pranuar publikisht se pas zgjedhjeve të vitit 2017 i ka rekomanduar Lulzim Bashës si kryetar opozite Ilir Metën, pasi sipas tij, po bënte opozitë më të fortë.
Koha për ta vënë në zbatim këtë plan është tani. I prekur në sedër që të mos turpërohet duke formuar një parti të re, Sali Berisha po përpiqet t’i çojë mbështetësit e tij tek LSI, duke vazhduar vetë formalisht luftën sikur kërkon të marrë PD.
Pra në vitet në vazhdim ne do të shikojmë praktikisht një PD të Berishës, që është e njehësuar me LSI-në e Metës dhe një Sali Berishë që bën si bishë e plagosur dhe vazhdon betejën me PD, për të justifikuar ndarjen dhe betejën ndaj Bashës.
Në këtë mes do të ketë gjithmonë propozime të tilla jo zyrtare prej tij, siç është ky “për zgjedhje të reja” apo për “votëbesim” në PD, siç thotë Ilir Meta, i cili partinë e vet e ka kthyer si apartament që e shkëmben me gruan çdo katër vjet, dhe ku Petrit Vasilin nuk kishin besim ta linin as administrator godine.
Pas dështimit të Berishës më 8 janar, tani e tutje do dëgjojmë vetëm propozime të tilla. Nga një anë Ilir Metën që do bashkohet me njerëzit e tij në një parti të vetme jo zyrtarisht, dhe nga ana tjetër propozime që të mbajnë tensionin e ngritur ndaj Partisë Demokratike, që të mos duken sikur janë dorëzuar.
Tani përmbaruesit e Berishës pasi të dalin nga qelitë do mendohen dy herë, nëse do shkojnë në një miting të radhës, por përfituesit, pra Ilir Meta, LSI etj, do të jenë gati të shqyejnë ç’të munden ndonjë copë nga PD. Iku koha e “përmbaruesve”, erdhi koha e “përfituesve”.