Kriza që ka mbërthyer Partinë Demokrtike, duket se ka trembur kryeministrin Edi Rama, i cili ka vendosur që të ndryshojë statutin e Partisë Socialiste.
Vetë sherri Basha-Berisha po tregon çdo ditë që pavarësisht mbështetjes që mund të kesh në bazë, është vula dhe kryetari i partisë ai që vendos në fund. Kështu që në kushtet kur forca e pozitës triumfon mbi anëtarësinë, edhe kryeministri Rama po shkon drejt ndryshimeve në statut, me qëllim forcimin e pozitave në PS, që në të ardhmen të shmangë ndonjë surprizë apo “komplot” kundër tij.
Dje në drejtimin e shefit të mazhorancës është mbledhur Kryesia e Partisë Socialiste, ndërkohë që në një prononcim për e mediat jashtë dyerve të selisë rozë, kryesocialisti bëri me dije forca e tij politike do t’i nënshtrohet një procesi riorganizimi. Madje a zbuloi se më 29 Janar do të mbahet kongresi i PS, ku pritet të bëhen edhe ndryshimet statutore.
“Kryesia e PS u mblodh sot për të miratuar projektvendimin për mbledhjen e Kongresit në datën 29 Janar. Në këtë mbledhje u paraqit dhe drafti paraprak me propozimet për ndryshime në Statutin e PSSH-së. Pas diskutimeve të zhvilluara nga anëtarët e Kryesisë dhe propozimeve përkatëse, Grupi i Posaçëm i punës për Statutin do të vazhdojë diskutimin në ditët e ardhshme për të hartuar dokumentin përfundimtar i cili do t’i paraqitet për miratim delegatëve të Kongresit”, deklaroi ai, detaje këto që i ka shpërndarë më pas edhe zyra e shtypi të PS.
Rama jep detaje dhe thumbon dyshen Basha-Berisha
Më tej kryeministri Edi Rama zbuloi se në Kongresin e 29 janarit do të votohet edhe sekretariati i Partisë Socialiste. “Gjatë punimeve të Kongresit, paralelisht do të organizohet votëbesimi nga Asambleja Kombëtare për Sekretariatin Ekzekutiv të partisë.
Në Kryesi u diskutua gjithashtu për aktivitetin që do të zhvillohet në 15 Janar në kuadër të 30 vjetorit të Forumit Rinor Eurosocialist Shqiptar”, u shpreh ai. Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka bërë batuta me gazetarë kur u pyet nëse po plaket Partia Socialiste. Rama theksoi se e rëndësishme është sa ndihesh dhe ja sa shkruhet në dokument dhe se ripërtëritja me të rinjtë ka qenë gjithmonë pjesë e socialistëve. “Të gjithë jemi duke u plakur por në fund të ditës nuk ka rëndësi sa të shkruhet mosha por se sa ndihesh. Gjithmonë ripërtëritja dhe organizimet kanë qenë të PS”, tha ai.
Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama komentoi edhe situatën brenda Partisë Demorkatike, teksa theksoi se nuk sheh asnjë nga palët e konfliktit në PD të denjë të për bashkëpunuar. I pyetur nga mediat, Rama tha se askush prej palëve nuk ka legjitimitet.
“Të dy këta nuk ka asnjë legjitimitet veç e veç. Deputetët e PD-së kanë legjitimë sepse janë aty me votën e popullit dhe për sa kohë ne do të shohim se ka shans për bashkëpunim, ne jemi aty për ta bërë atë. Unë uroj që të jetë një proces që shkon drejt një zgjidhjeje paqësore. Uroj që dhuna që pamë dhe fortifikimet të mbeten mbrapa.
Policia e Shtetit ishte në sfidën e vet më të vështirë të këtyre 30 viteve pasi kurrë nuk i është dashur të futet në oborrin e një partie për të ndarë 2 palë që kacafyten dhe që mund të shkojnë deri në gjakderdhje. Nuk ishte e nevojshme të fortifikohej PD, mund të thirrej policia dhe ta mbronte godinën”, nënvizoi kryeministri Rama./Sot