Kokalari dje ka braktisur ish-kryeministrin Berisha. Prej disa muajsh ajo ishte krah tij, por dje lajmëroi se po tërhiqet nga aktivitetet në Tiranë.
Por pse erdhi ky vendim i befasishëm në kohën kur Berishës i duhet më shumë mbështetje? Gazeta ka mësuar se shkak mund të kenë qenë masat që mund të merreshin ndaj saj. Sipas ligjit amerikan të gjithë shtetasit amerikanë që bashkëpunojnë me personat “non grata” rrezikojnë të procedohen penalisht.
Gazeta ka siguruar një raport, ku përcaktohen masat ndaj shtetasve amerikane që mbështesin organizatat dhe personat e shpallur të padëshiruar nga SHBA. Sipas këtij përcaktimi nëse ka transaksione dhe mbështetje të një personi “non grata” apo të një organizate të shpallur kriminale nga SHBA, kjo quhet vepër penale.
“Disa nga pasojat ligjore mund të përfshijnë: Konsiderimin krim të sigurimit me vetëdije të mbështetjes materiale për një organizatë të shpallur publikisht të padëshiruar; Konsiderimin si krim kur me vetëdije ka transaksione ose marrëveshje me një person “non grata” ose organizatë “non grata””, thuhet në raport.
Po ashtu krim do të quhet nëse ofrohet mbështetje materiale për personat e padëshiruar. Ky përcaktim duket se u jep një goditje të fortë të gjithë shqiptaro-amerikanëve që i kanë dal në mbështetje ish-kryeministrit Sali Berisha. Emra si Evi Kokalari dhe shumë shqiptaro-amerikanë e kanë mbështetur lëvizjen e tij, por në përcaktimin e siguruar nga gazeta, të gjithë rrezikojnë të procedohen për mbështetje të një personi “non grata”.