Gazetari Çim Peka thotë se SHBA po pranon gabimin për non grata-n e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ai komentoi deklaratat e zv/ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Gabriel Escobar.
“Kishte një frazë Escobar. Kur u pyet për Sali Berishën non grata, tha nuk dua të flas për Sali Berishën. Kur u pyet në vazhdim nëse do të ketë të tjera non grata tha nuk dua të flas për sanksione dhe nuk dua që angazhimi i SHBA në Shqipëri të jetë nëpërmjet sanksioneve.
E thënë më shkurt, e tha qartë, kemi hyrë dhe ngecur në këtë, ata që kishin paralajmëruar shumë sanksione të tjera nuk duan të flasin dhe të kenë angazhime për këtë.
Mesazhi u mor, një gjë të mirë e prodhoi. Arroganca dhe ideja se çfarë t’u themi ne shqiptarëve, këta janë dakord, ka rënë. Rezistenca e zotit Berisha dhe anëtarësisë së madhe ndaj këtij vendimi, një të mirë e ka sjellë, një farë sovraniteti pluralist në Shqipëri e ka sjellë.
Sot nuk foli më Escobar për dosjen për Sali Berishën, nuk dua të flas më për të, nuk dua të flas për sanksione. Kjo ishte thelbi. E thënë më qartë, e bëmë këtë gjë, s’kemi si e hamë. Të gjitha veprimet e tyre të pas kësaj, janë peng i veprimit të tyre të pamatur.
Sepse një njeri që të premton para pak muajsh të tjera sanksione, se do të shpallim të tjerë non grata, dhe të dalë të deklarojë pas një muaji se nuk dua të flas për Berishën, nuk duam të angazhohemi në Shqipëri për sanksione, është pranim i gabimit të tyre. Deklaratat pas kësaj është vazhdimësia për të justifikuar veprimin që e kanë bërë por që s’kanë si ta zhbëjnë sepse ata janë perandoria”, tha Peka.