Mazhoranca socialiste duket e vendosur për t’i dhënë goditjen finale presidentit Ilir Meta. Më 9 qershor 2021, Kuvendi i Shqipërisë votoi me plot 104 vota në favor të shkarkimit të presidentit Meta nga detyra, për shkak se për socialistët ai ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës dhe se largimi i tij para kohe ka lindur si një nevojë për të çliruar Presidencën nga një pengmarrje.
Për rrjedhojë vendimi i Parlamentit i kaloi për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese, e cila do të mblidhet javës tjetër më 18 janar, ku do të vendosë për fatin e Ilir Metës. Gazeta ka mësuar se mazhoranca e ka gati dosjen voluminoze për shkarkimin e Metës, të cilët pritet ta depozitojë në Kushtetuese.
Kjo e fundit ka informuar palët e përfshira në proces për seancën e të martës tjetër, ndërkohë që mësohet se juristët e Parlamentit që do të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese për të mbrojtur vendimin e Kuvendit, kanë kopsitur edhe dosjen, në të cilën janë pasqyruar të gjitha shkeljet e Metës dhe gjetjet e komisionit hetimor për veprimtarinë e presidentit, para dhe gjatë fushtës zgjedhore sa i takon zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të vitit 2021.
Por sa i takon seancës së 18 janarit dhe dosjes voluminoze që mazhoranca socialiste ka kundër presidentit Ilir Meta, dje ka folur edhe kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. Ky i fundit gjatë një konference për shtyp para gazetarëve, zbuloi se përfaqësuesit e shumicës do marrin pjesë Gjykatën Kushtetuese në seancën e 18 janarit për të parashtruar provat. “Më 18 janar zhvillohet një seancë e Gjykatës kushtetuese.
Pala jonë mban përgjegjësi që të shkojë në gjykatën kushtetuese dhe të mbrojë qëndrimin. Një përfaqësi do jetë në seancë për të parashtruar provat. Nuk e di kur Gjykata Kushtetuese do shprehet për vendimmarrjen. Ajo që kemi gjetur ne në raportin e komisionit hetimor janë fakte dhe prova”, deklaroi ai.
PS mesazh Kushtetueses për Metën
Më tej kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla i ka dërguar edhe një mesazh Gjykatës Kushtetueses të mos vonojë vendimin për presidentin, duke se më 18 janar do të mblidhet për shkarkimin e Ilir Metës. Sipas zotit Balla, do të ishte humbje kohe nëse Gjykata Kushtetuese do t’i drejtohej Komisionit të Venecias për vendimin e shkarkimit të presidentit Meta.
“Opinionet e vyera të Venecias kanë qenë ndihmuese, por biem dakord që opinioni i Venecias ka ardhur, ekziston, Gjykata Kushtetuese e ka jurisprudencën e nevojshme, do ishte humbje kohe, ndërkohë që ajo që ka më shumë rëndësi është vendimmarrja e Kushtetueses. Ajo ka agjendë prioritare, koha ka qenë në dispozicion, ka qenë e qartë që prej ditë së parë. Vendimi do të përshëndetet çfarëdolloj të jetë ai, sepse gjykata përfaqëson Kushtetutën”, u shpreh ai.
PS: Ja procedurat për presidentin e ri
Ndërkohë Balla theksoi se procedura në rast të shkarkimit të Presidentit është shumë e qartë, ndërsa kujtoi se në mes të prillit fillon dhe procedura normale në rastin e paracaktuara nga Kushtetuta, duke qenë se Presidentit Meta i mbaron mandati në korrik.
“Në momentin e shkarkimit të presidentit, kryetari i Kuvendit ushtron kompetencat e presidentit, dhe menjëherë fillojnë procedurat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Procedura është shumë e qartë. Por në mes të prillit të këtij viti fillon procedura normale, në rastin e paracaktuar nga Kushtetuta për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Në një nga javët e ardhshme të Kuvendit do të zërë dhe kjo çështje vend”, nënvizoi Balla.