Sali Berisha do të paraqitet në Prokurori për të dhënë shpjegime mbi dhunën në protestën e 8 janarit. I pari që do të merret në pyetje nga organi i akuzës është ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili do të paraqitet rreth orës 11 të paradites në organin e akuzës.
Ndërkohë, pas tij do të merret në pyetje edhe lideri demokrat Lulzim Basha, i cili pritet që të thirret të premten, në Prokurori për hetimet që kanë nisur mbi protestën e 8 janarit.
Duke marrë shkas nga protesta e dhunshme që u mbajt më 8 janar para selisë së Partisë Demokratike, ku përkrahës të ish-kryeministrit Sali Berisha tentuan të hynin brenda në seli, Prokuroria do të marrë në pyetje figurat më të rëndësishme të kësaj partie, por edhe deputet. Po ashtu, mësohet se në pyetje do të merren edhe deputeti i PD Flamur Noka dhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi.
Ndërkohë, Policia ka kërkuar hetim nga Prokuroria duke dorëzuar edhe disa fotografi të personave të dyshuar se kanë ushtuar dhunë në protestën e 8 janarit. Policia e Shtetit ka kallëzuar mundësinë e incidenteve nga persona të armatosur ndërkohë që pas akteve të dhunës, janë pyetur disa prej deputetëve demokratë.
Objekt verifikimi ka qenë grumbullimi i tyre brenda selisë, ndërkohë që hetuesit kanë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë përreth selisë blu. Prokuroria ka kërkuar ekspertim edhe për pluhurin e bardhë të hedhur nga brenda godinës drejt protestuesve.
Pas incidenteve dhe akteve të dhunës në selinë e Partisë Demokratike ditën e 8 janarit kur u zhvillua protesta, Policia e Shtetit ka ndërhyrë me efektivët e saj, ndërkohë që edhe grupi hetimor dhe disa oficerë të policisë gjyqësore mbërritën në vendngjarje dhe morën në pyetje disa deputet demokrat.
Gjykata liron të arrestuarit e protestës
Ndërkohë, dje u mbajtën seancat në Gjykatën e Tiranës për 34 personat e arrestuar pas protestës së 8 janarit në selinë e Partisë Demokratike. Ata janë arrestuar si të dyshuar për kryerjen e 5 veprave. Gjykata e Tiranës vendosi që të lironte 34 të arrestuarit nga protesta e dhunshme e 8 janarit në selinë e Partisë Demokratike. Masa ndaj tyre u dhanë në dy seanca të ndryshme, ku mbështetësit e Berishës dhe të Bashës i mësuan masat të ndarë.
Gjykata vendosi që 25 të arrestuarit t’u vendosej masa detyrim paraqitje, ndërsa 9 të tjerë janë lënë të lirë pa asnjë masë. Ndërkohë, të pranishëm në seancën për mbështetësit e Berishës ishin edhe anëtarët e Komisionit të Rithemelimit në Partinë Demokratike si Aldo Bumçi, Albana Vokshi, Oerd Bylykbashi, Klevis Balliu etj. Kujtojmë se në protestën e 8 janarit selia blu u kthye në një skenë krimi, ku mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha sulmuan selinë me mjetet të forta, ndërsa u desh ndërhyrja e policisë për shpërndarjen e protestuesve.