Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim ka rrëzuar dje pretendimet e mediave pranë Berishës, të cilët abuzuan me intervistën e dhënë nga zv/ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar.
Ky i fundit teksa foli në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ndërsa dënoi dhunën e ushtruar më 8 janar nga mbështetësit e Berishës. Por deklarata e tij u keqinterpretua nga disa ithtarë dhe media pranë ish-kryeministrit, të cilët nxituan dhe deklaruan se edhe amerikanët e pranuan që Berisha ka mbështetje, duke bërë që ambasadorja Kim të thotë fjalën e fundit për zotin Berisha, i shpallur “non grata” nga DASH.
Pas intervistës së zv/ndihmës sekretarit Gabriel Escobar, Kim e ka shpërndarë atë në rrjetet e saj sociale, duke dhënë edhe komentin e saj. Në postimin e saj, ambasadorja kërkon që shqiptarët ta gjykojnë vetë komentin e zyrtarit të lartë amerikan lidhur me protestën e 8 janarit por edhe zhvillimet më të fundit në selinë e PD-së.
“Jeni lodhur nga “spin doktorët”(propagandistët e marrëdhënieve me publikun)? Gjykojeni vetë. Ja çfarë tha në të vërtetë Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar. Ai diskutoi gjithashtu integrimin ekonomik rajonal (përfshirë Ballkanin e Hapur dhe Procesin e Berlinit), Kosovë-Serbi, etj”, shkruan në postimin e saj ambasadorja Kim.
Paralajmërohen të tjera shpallje “non grata”
Por teksa ish-kryeministri Sali Berisha tashmë është bërë i padëshiruar për amerikanët, fakt që e pohoi dje edhe ambasadorja Kim, zv/ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar premtoi se do të ketë sanksione ndaj personave publike në Ballkanin Perëndimor në lidhje me akuzat për korrupsion dhe shkelje të demokracisë.
Në intervistë për “Zërin e Amerikës”, zyrtari i lartë amerikan nuk pranoi të bënte publik emra të tjerë që mund të shpallen “non grata” nga SHBA, por theksoi se shteti amerikan do t’i përdorë në vazhdim instrumentat ndëshkimorë ndaj personave publik që janë të përfshirë në korrupsion dhe dhunim të sistemit demokratik. “E kam thënë se nuk më pëlqen të flas për sanksionet në përgjithësi, për shumë arsye, por kryesisht për faktin se nuk është kjo mënyra se si angazhohen Shtetet e Bashkuara në rajon, veçanërisht me Shqipërinë.
Kemi aq shumë rrugë pozitive angazhimi dhe do të vazhdojmë t’i përdorim ato. Megjithatë, do të ketë përcaktime të tjera në rajon”, deklaroi ai. Më tej diplomati Escobar theksoi se Shqipëria është vend që i përket Europës dhe nga kjo pikëpamje shtoi se shpreson që ajo t’i bashkohet Bashkimit Europian. Sipas tij, Shqipëria gjatë kohës që është anëtare e NATO-s ka treguar se është vend i dobishëm.
“Unë shpresoj që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian në një kohë të shkurtër, pasi ka bërë shumë në këtë drejtim. Është vend evropian nga aspekti kulturor, ekonomik dhe historik. Dhe argumenti ynë për ato pak vende të Bashkimit Evropian që janë skeptikë, është se nëse marrin si shembull përvojën tone amerikane me Shqipërinë dhe NATO-n, ata duhet ta dinë që Shqipëria do të jetë një anëtare e vlefshme dhe konstruktive, sepse e ka dëshmuar këtë në NATO”, nënvizoi Escobar./Rigels Seliman