Bazuar në dokumentacione dhe rrëfime autentike në librin “Masakroni Servet Pëllumbin” akuzohet Sali Berisha jo vetëm si agjent potencial, por dhe aktiv i disa shërbimeve të huaja kryesisht jugosllave, akuza deri tani ai nuk ka pasur kurajo t’i kundërshtojë apo mohojë publikisht. Të mërkurën ambasadorja amerikane Juri Kim duke analizuar ngjarjet e datës 8 Janar e cilësoi dhe etiketoi Sali Berishën si “SPIN DOCTOR”.
Shumë kush edhe për shkak të veçorisë së këtij epiteti nuk ka arritur të kuptoj ekzaktësisht kuptimin e tij. Sipas Diksionerit anglisht- shqip, “Spin Doctor” ka kuptimin e një personi dredharak, i pasinqertë, mashtrues dhe manipulator (disingenuous, deceptive and manipulative tactics ), të gjitha këto epitete që unë bazuar edhe në faktet, e kam cilësuar atë si spiun i vjetër dhe i regjur. Mesa duket edhe Zonja ambasadore e ka hapur dosjen edhe me mjetet e gjuhën e saja ka bërë përshkrimin e figurës së Sali Berishës direkt pas ngjarjeve të 8 Janarit: SPIN DOCTOR.
Ja disa nga qëndrimet në librin “Masakroni Servet Pëllumbin”
1. Sali Berisha spiun i zellshem. ( faqe 160-170 ) Ai ka punuar pa hezitim kundër interesave kombëtare. Dëshmi e zbuluesit të sigurimit shtetit Ali Anadolli;
2. Mora nxitje duke ribotuar këto dokumenta edhe për t’i hequr kuriozitetin dhe për ta çliruar nga budallallëku e “çudia ” një pseudoanalist zeshkan që ka marrë përsipër të bëjë komente ne studio televizive për ngjarjet e 8 Janarit që me përkëdheli e thërrasin GASTOR KIKIU! Njihu i dashur Kikiu edhe me këto dokumente! Sepse ke bërë thirrje që unë mos të dal më nëpër televizione. Mesa duket të vjen keq për Saliun edhe partinë e tij që e ke ndjekur për shumë vite. Puna jote, por hipokrizia jote është komplet e shpëlarë.
Berisha Spiun i Sigurimit
Sali Ram Berisha fillimisht është rekrutuar nga Sigurimi Shqiptar dhe ka përzgjedhur pseudonimin “Penicilina”. Si mund t’jua vërtetoj këtë? Fare thjesht. Unë disponoj dëshmitë me shkrim të ish-operativit të Sigurimit të Shtetit, Ali Anadollit, i cili e ka rekrutuar Saliun si agjent në vitin 1967. Ka rëndësi të theksohet viti, pasi në vitin 1968 Saliu është pranuar anëtar i PPSH-së për devotshmërinë e lartë që ka treguar.
Ja se çfarë ka shkruar operativi i Sigurimit të Shtetit, shkodrani Ali Anadolli, i cili e ka rekrutuar Saliun fillimisht. Lexoni se çfarë dëshmon Ali Anadolli në raportin e tij: “Në vitin 1962, Sali Berisha erdhi në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Mjekësisë. Në atë kohë sektorin e mjekësisë ai mbulonte këtë sektor. Pasi mbaroi studimet u mbajt në spitalin e Tiranës si mjek kardiolog dhe më vonë si kardiokirurg. Në këtë kohë ai përgatit dokumentet për t’u futur në Parti.
Një vëlla i tij, me emrin Selim, kishte mik kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Tropojës, Idriz Shehun. Ai i kërkoi Idrizit ta ndihmonte të vëllanë për t’u pranuar në Parti. Idrizi i përgjigjet se në kushtet e Sali Berishës (me probleme në biografinë e familjes), për t’u pranuar në Parti, duhej që edhe ai ta ndihmonte shtetin me shërbime të veçanta, prandaj ai duhej takuar dhe t’i merrej mendimi nëse ishte dakord kështu.
Pas takimit me Saliun në Tiranë dhe pasi mori miratimin e tij, i vëllai (i cili sot nuk jeton, pasi ka vdekur nga zemra, dhe që ishte i vetmi person pozitiv në fisin e tyre) u kthye në Tropojë. Pas disa kohësh, bashkë me kryetarin e Degës, u nisën me makinën e tij për në Tiranë dhe u takuan me persona të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët e tërhoqën Saliun në bashkëpunim, me pseudonimin “Penicilina” dhe, pas kësaj, iu miratua edhe kërkesa për të hyrë në Parti.
Sali Berisha u studiua mirë nga Sigurimi i Shtetit dhe pranimi per rekrutimin e tij lidhej me ambicien e tij të madhe për karrierë. Në atë kohë ishte rregull që dosja e kuadrit që bashkëpunonte me Sigurimin e Shtetit nuk ruhej në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit por nga Drejtori në Drejtorinë e Punëve të Brendshme në Ministri. Kur erdhi në pushtet, jo më kot, Sali Berisha e futi në burg ish Drejtorin në Ministri, Zef Loka, një burrë i ndershëm që e kishte ndihmuar shumë Sali Berishën në zgjidhjen e çdo problemi familjar.
Gjatë kësaj kohe (para viteve ’90 pra ), Sali Berishës i ishte rritur ndjeshëm temperatura e etheve për pushtet dhe zbatonte me përpikmëri mësimet e PPSH, deri sa u bë sekretar i organizatës së PPSH të spitalit. Në këtë kohë filluan t’i shfaqen edhe simptomat e sëmundjes psikike si deliri i madhështisë, hakmarrjes, etj. Për shkak të kësaj sëmundjeje ai është dërguar nga Partia për mjekim edhe në Austri.
Sëmundja mbikëqyrej dhe kurohej nga kolegu i tij psikiatër Ylvi Vehbiu. Në kohën kur Partia merrte nisma për të ndihmuar zonat veriore me mjekë, në një mbledhje të zhvilluar me kolektivin e spitalit, Sekretari i Partisë, Ilir Gjylbegu, kërkoi që kandidatura e Ylviut të mos përfshihej në transferim. Kur u kërkuan sqarime për shkakun e këtij rekomandimi, Iliri shpjegoi se Ylviu duhej të qëndronte pasi nuk kishte se kush të mbikëqyrte Sali Berishën në sëmundjen e tij.
Ky “sqarim”, i kushtoi shumë pas 25 vjetësh Gjylbegut, kur Sali Berisha u bë kryetar i PD dhe President i vendit. Presidenti e largoi Gjylbegun nga profesioni për 3 vjet dhe u desh ndërhyrja e miqve që ky mjek, specialisti më i mirë në Shqipëri për profesionin e tij, të rikthehej në punë. Ylvi Vehbiu, me ardhjen e Berishës në pushtet, u largua pa u ndjerë për në SHBA pasi, siç u tha disa shokëve, duke e ditur sëmundjen e Sali Berishës, do të bëhej kurbani i tij i parë.
“Mjerë Shqipëria!” u shpreh Ylviu dhe Sali Berisha bëri çmos për ta gjetur! Gjatë kësaj kohe, Sali Ram Berisha martohet me Liri Rexhep Ramën. Rexhepin, mbas çlirimit të vendit, bashkë me disa studentë të tjerë i dërguan për studime në Jugosllavi, në Institutin e Fizkulturës. Kur u prishën marrëdhëniet me ish Jugosllavinë, të gjithë studentët u kthyen menjëherë në Shqipëri, ndërsa Rexhepi është kthyer pas disa vjetësh. Në Jugosllavi, vjehrri i Sali Berishës, Rexhepi, u tërhoq në bashkëpunim nga UDB-ja.
Për këtë ndikoi fakti se motra e Milicës (e shoqja e Rexhepit, tezja e Lirisë dhe vjehrra e ardhshme e Saliut ), ka qenë gjatë luftës oficere e OZNA-s (paraardhësja e UDB-së) dhe pas çlirimit të Jugosllavisë, kolonele e UDB-së, mbështetëse e Rankoviçit dhe e operacioneve të tij për shfarosjen e shqiptarëve. Djali i saj (djali i tezes së Lirisë), gjatë luftës në Bosnje, ishte këshilltar ekonomik i Millosheviçit.
Spiunimi i mjekëve
Nuk janë të paktë mjekët që ka spiunuar Sali Berisha, gjoja për veprimtari të dyshimtë dhe armiqësore. Që nga kjo kohë filluan dyshimet ndaj Sali Berishës si agjent i UDB jugosllave. Në vitet 1991 – 1992 në Shqipëri u dyndën serbë të Kosovës që e njihnin mirë gjuhën shqipe.
Ata ishin udhëzuar nga UDB që, duke u hequr si kosovarë dhe na bashkëpunim me agjentët serbë në Tiranë, të kryenin veprime për të ndikuar në popullin shqiptar kundër kosovarëve dhe në fakt, deri në një farë mase, UDB ja arriti qëllimit me anë të seksit, hapjes së lokaleve, shitjes së mallrave me çmime të shtrenjta në një kohë kur në Shqipëri kishte varfëri. Në atë kohë, Sali Berisha dhe Mehmet Elezi kanë marrë kontakt me disa prej tyre. Duke lexuar këto dëshmi, unë jam tronditur jashtëzakonisht.
Prandaj dhe them publikisht se sado që të flasë për ndershmëri, Sali Berisha e di se akoma jetojnë persona që e njohin shumë mirë. Me këto ngarkesa në biografi, Sali Berisha e dinte se nuk mund të ecte përpara duke punuar në mjekësi dhe për këtë hodhi hapin e parë duke e rregulluar që stërvitjen ushtarake ta kryente në Brigadën Rezerviste të Gardës. Pas këtij hapi, duke shfrytëzuar Dine Abazin që ishte mjeku i Hysni Kapos, arriti t’a zëvendësonte atë kur mungonte. Kur ishte provizor tek Hysni Kapua, filloi t’i thoshte djalit të tij, Besnikut, që ta hiqnin Dinen dhe të merrnin Sali Berishën si mjek të familjes.
Këtë bisedë Besniku ja thotë Dines dhe pas kësaj, Sali Berishën e vunë në dispozicion të familjes së Simon Stefanit, anëtar i Byrosë Politike edhe ai. Gjatë kësaj kohe, Sali Berisha shkonte jashtë shtetit për të bërë analizat e anëtarëve të Byrosë Politike dhe, më vonë, edhe me kurse specializimi 6 e 12 mujore. Duke ditur edhe lidhjet e mësipërme, UDB filloi në këtë kohë përpunimin e tij në Francë dhe më 30 dhjetor 1974 tërhiqet në bashkëpunim nga shërbimi i fshehtë jugosllav me pseudonimin e dosjes “Bisturia”, pseudonim ky që duhet të jetë ndryshuar më vonë.
“Bisturia” është dosja personale e Sali Berishës në arkivat e UDB-së, ku janë depozituar tërë kontributet e tij në interes të UDB -së. Më vonë, zbulimi shqiptar i dërgon informacion kundërzbulimit ( sigurimit ) se në Shqipëri veprojnë dy kanale të UDB – së : Një kanal kalon nga fshati Viçidol dhe drejtohet nga një mjek kardiolog ndërsa jë kanal tjetër vepron në Shkodër. Ky dokument firmoset nga zv/drejtori i Sigurimit të Shtetit, Sulejman Abazi./Nga Spartak Braho