Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla u shpreh në “Log.” Se shpesh herë në Kuvend ka momente kur gjuha e përdorur është mizogjene.
Pyetur nga gazetari Endri Xhafo nëse mund të thotë të njëjtën gjë edhe për fjalët e përdorura nga kryeministri Edi Rama në drejtim të deputeteve të opozitës, Nikolla nuk preferoi të komentonte duke theksuar se kjo pjesë është sqaruar nga vetë Rama.
“Ka momente. Gjuha seksiste. Shpesh herë gjuhë jo etike. Nuk do doja të komentoja. Ka dhënë vetë përgjigjen kryeministri. Edhe në parlament i ka dhënë një përgjigje shteruese Tabakut. Dua të jemi në lartësinë e detyrës duke qenë qytetar”, tha ajo.
Nikolla shtoi se duhet të qëndrohet larg kësaj retorike pa kaluar në sulme personale.
“Duke respektuar kundërshtarin dhe duke mos kaluar në sulme personale. Është një kulturë 30-vjeçare që për të luftuar atë tjetrin ta denigrosh. Duhet t’i largohemi këtyre shfaqjeve. Jam e vendosur të mos heq dorë nga disa anë që përpiqem t’ia njoh vetes si pikë të forta. Dhe respekti. Duhet të bëjmë të gjithë kujdes maksimal”, deklaroi Nikolla.