Lideri demokrat Lulzim Basha, ka dëshmuar ditën e djeshme në Prokurori. Ka zgjatur pothuajse 2 orë dëshmia e tij, ku u mor në pyetje mbi protestën e dhunshme të 8 janarit në selinë e Partisë Demokratike.
Pas dëshmisë në një prononcim për mediat, Basha tha se autorët e dhunës së protestës duhet të vihen para drejtësisë, ndërsa theksoi se Berisha ishte ai që orkestroi dhunën në protestën para selisë së Partisë Demokratike. Sipas tij, Berisha për egoizmin dhe interesat personale po shkatërron Partinë Demokratike. “Dhuna u orkestrua, u organizua dhe u urdhërua nga Sali Berisha.
U thirrën për tu përdorur si fasadë një pjesë shumë e vogël ju përgjigj thirrjes por u distancuan nga dhuna, egoizmi pa kufi po i Sali Berishës po shkakton shumë dëme Partinë Demokratike për interesa të tij personale”, tha ai. Ndër të tjera, Basha u shpreh se kërkon që të vihen para drejtësisë organizatorët dhe ata që frymëzuan protestën e 8 janarit duke nënkuptuar me këtë të fundit Berishën.
Ai theksoi, se demokratët kanë treguar se nuk bëhen pjesë e inskenimit të dhunës. “Kërkoj zbardhjen e plotë dhe vendosjen para përgjegjësisë të organizatorëve frymëzuesve të dhunës, e të jemi një orë e më parë në krye të betejës që ta çlirojmë Shqipërinë nga ky makth. Kohë e çmuar mediatike që duhet të vihej në dispozicion të së mirës publike, kjo prokurori duhet të vlonte nga të arrestuarit për afera korruptive.
Me gjuhën e dhunës Sali Berisha është përpjekur që ta frenojë këtë. Demokratët ja kanë dalë që të tregojnë se nuk mund të bëhen pjesë e inskenimit të dhunës. Partia Demokratike mbetet një forcë politike e pjekur dhe e mençur. Kështu duhet ta shihni 8 janarin jo si një ngjarje izoluar por si një pjesë e një grupi njerëzish që duan ta mbajnë për interesin tyre personal. Nga ana tjetër janë shqiptarët dhe demokratët që duan ndryshimin dhe jemi të vendosur që mos të lëshojmë pe”, tha Basha.
Basha hedh poshtë akuzat e Berishës
Ndërkohë, lideri demokrat Lulzim Basha e ka hedhur poshtë akuzën e Sali Berishës se në zyrën e tij ditën e protestës ka pasur persona me rekorde kriminale dhe fundamentalistë. Ai i cilësoi akuzat e Berishës si gënjeshtra, ndërsa vijoi më tej duke thënë se drejtësia është ajo që do të zbardh të gjithë ngjarjen se si ndodhi.
“Gënjeshtër e Berishës kanë nisur që prej datës 9 shtator dhe bëhen groteske në proporcion me dëshpërimin e tij, ato që na kanë mbajtur 30 vend numëro, do mund që t’i largojmë që të bëhemi të gjithë bashkë. Kam kërkuar hetimin e të gjithëve duke filluar nga Berisha tek i fundit, duke bërë diferencim mes organizatorëve dhe atyre pak demokratëve që u ndodhën aty, u distancuan dhe u përdorën si fasadë.
S’kam arritur që t’i identifikojë kush qëlluan nga zyra ime, është detyrë e drejtësisë, të zbardhë atë që ka ndodhur. Nuk merrem me identifikimin kush hyn e kush del nga Partia Demokratike, të jemi pak gjakftohtë që të mos i ushqejmë qytetarëve se ça vijnë në mendje”, tha Basha.