Kreu i PD Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha ditën e sotme do të dalin të dy në terren. Siç është njoftuar Berisha do të jetë në Shkodër, kurse Basha në Fier. Ndonëse në qytete të ndryshme të dy do të zhvillojnë takime me demokratët në të njëjtën orë, në 11:00.
Kujtojmë se pas protestës së dhunshme të 8 janarit, Berisha dhe disa deputetë të tjerë, anëtarë të Kryesisë së PD-së u përjashtuan përgjithmonë nga partia.
Përveç Berishës, përjashtimi i menjëhershëm nga PD, prek dhe 8 emra të tjerë, mes të cilëve edhe ish presidentin Bujar Nishani apo dhe tre deputetët Flamur Noka, Edmond Spaho dhe Albana Vokshi. Ndërsa për 19 të tjerë, është vendosur pezullimi i menjëhershëm nga anëtarësia si dhe nga funksionet e tjera në parti.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar, Luzlim Basha tha se vendimi për përjashtimin e Berishës dhe organizatorëve të dhunës ishte i vështirë, por i duhur. Kryedemokrati e cilësoi 8 janarin si “vijën e kuqe” ku u bë ndarja përfundimtare me nxitësit e dhunës.