Kuvendi nis sot seancën e parë plenare për këtë vit. Kjo do të jetë një seancë e veçantë pasi do të jetë i pranishëm edhe presidenti turk Recep Tajip Erdogan, i cili do vizitojë Shqipërinë ditën e sotme.
Ndërkohë, zyra e shtypit të Kuvendit njofton se kameramanët dhe gazetarët të cilët ndjekin seancën, duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose testin negativ, përpara zhvillimit të seancës, sipas aktit normativ. Certifikata ose testi do t’i dorëzohen punonjësit të Zyrës së Shtypit në hyrjen e sallës së Kuvendit.
Pas marrjes së planeve, operatorët do të shoqërohen nga punonjësit e Zyrës së Shtypit në ambientet e jashtme, ndërsa gazetarët mund të qëndrojnë gjatë gjithë kohëzgjatjes së seancës plenare. Ndërkohë, kujtojmë se pak ditë më parë nën drejtimin e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla u zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.
Konferenca shqyrtoi dhe miratoi programin e punës së Kuvendit për periudhën 17 janar-25 shkurt 2022, si dhe kalendarin 3 javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 17 janar-4 shkurt 2022. Po ashtu, konferenca shqyrtoi dhe miratoi edhe kalendarin e kontrollit parlamentar të Kuvendit, që përcakton agjendën vjetore për kontrollin e mbikëqyrjes parlamentare për institucionet e pavarura dhe agjencitë ligjzbatuese, ndërsa u vendos se në bazë të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit seanca e parë plenare për sesionin e dytë të legjislaturës së X do të zhvillohej ditën e sotme.
Ndërkohë, gjatë javëve të fundmi ka pasur zhvillime të bujshme në selinë blu që mund të vijojnë edhe në seancat e ardhshme plenare. Përjashtimi i Berishës dhe i disa deputetëve të saj do të pasohet dhe me ndarjen e madhe të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kështu në seancën e Parlamentit të ri, do të deklarohen edhe grupet parlamentare.