Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan ka shfrytëzuar vizitën e tij njëditore në Tiranë për t’i dhënë një ultimatum të prerë kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar që të likuidojë gylenistët.
Gazeta e ka deklaruar në numrin e këtyre ditëve se qëllimi kryesor i vizitës së Erdogan në Shqipëri janë gylneistët dhe kjo gjë ka dalë dje në pah, pasi presidenti turk ka shprehur pakënaqësinë për mënyrën se si qeveria shqiptare e ka menaxhuar organizatën FETO e gylenistët që Turqia i konsideron terroristë.
Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, Erdogan theksoi dje se fakti që FETO gjen ende hapësira në Shqipëri, e shqetëson Turqinë. Madje ai kërkoi që të merreshin masa më të rrepta kundër gylenistëve në Shqipëri. “Në takimet tona diskutuam edhe luftën nga organizatës terroriste FETO që në vitin 2016 tentoi një grusht të dështuar shteti kundër demokracisë tonë.
Ne e mposhtëm këtë akt terrorist falë rezistencës së popullit tonë, por patëm 251 persona të vrarë mizorisht nga njerëzit e FETO-s. Kjo strukturë i ka të lyer duar me njerëz të pafajshëm dhe përbën një kërcënim jo vetëm për Turqinë, por edhe për çdo vend ku është e pranishme.
Fakti që gjen fushëveprimi në vendin mik dhe vëlla të Shqipërisë, e lëndon thellë popullin tonë. Pritshmëria jonë është që të merren hapa më konkretë kundër strukturimit të FETO-s në Shqipëri”, deklaroi ai.
Erdogan flet në Parlament
Por çështjen e gylenistëve presidenti Erdogan e ka cekur sërish edhe gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë, teksa kërkoi që Shqipëria të marrë masa konkrete dhe të ashpra kundër organizatës politiko-kulturore FETO e udhëhequr nga kleriku Fetullah Gylen. Në fjalën e tij në Parlamentin e Shqipërisë, lideri i shtetit turk theksoi se kjo organizatë ka shkaktuar dëme të mëdha në Turqi dhe vendet e tjera nuk duhet të vuajnë pasojat që përjetoi populli turk nga FETO.
Madje në përfundim të fjalës së tij, Erdogan theksoi se në vizitat e tij të ardhshme në vendin tonë pret që shteti shqiptar të ndërmarrë veprime konkrete dhe të prera ndaj organizatës FETO, e cila është shpallur organizatë terroriste në Turqi.
“Më lejoni të them këtu se lufta kundër organizatës terroriste FETO që bombardoi dhe masakroi popullin tonë, është një nga ndjeshmëritë tona që i kushtojmë rëndësi të veçantë dhe fatkeqësisht anëtarët e kësaj organizate vazhdojnë të jenë në Shqipëri dhe të shfaqin ekzistencën e tyre.
Një mik i vërtetë është ai që nuk heziton të thotë të vërtetën edhe kur është e hidhur. Ashtu si në Turqi edhe këtu institucionet e lidhura me FETO-n kanë operacione të fshehta dhe mos kini dyshim se ata sapo të vijë koha do zbulojnë fytyrat e tyre të vërteta. Sa më shpejt të shpëtoni nga kjo strukturë helmuese aq më e siguritë do jetë e ardhmja juaj.
Nëse nuk veproni sa më shpejt është e pashmangshme që të shfaqen të njëjtat probleme si në Turqi. Ne e konsiderojmë si detyrë të shprehemi kudo që shkojmë të tregojmë në mënyrë që vëllezërit tanë mos të kenë të njëjtin fat. Presim që Shqipëria të marrë masa kundër FETO dhe të mos lejojë që marrëdhëniet tona të errësohen. Shpresoj që në vizitat tona të ardhshme në Shqipëri të ketë marrë formë të prerë kjo punë”, nënvizoi presidenti Erdogan./Rigels Seliman