Juristi Romeo Kara ka komentuar në një intervistë për gazetën “Sot” situatën politike në vend. Ai ka komentuar përplasjet që kanë ndodhur në PD, ku shprehet se ish-kryeministri Sali Berisha po sheh si rrugëdalje nga situata ku ndodhet për shkak të shpalljes “non grata”.
Sipas tij më 8 janar ai duhej të ishte arrestuar në flagrancë. Më tej ai ka komentuar dhe situatën ku ndodhet presidenti. Sipas juristit, sulmet e Metës ndaj Kushtetueses janë shantazhe për të bllokuar shkarkimin e tij.
-PD ndodhet në një moment kritik, ku Berisha po tenton të marrë kreun e partisë. Si e keni parë protestën e 8 janarit?
Pas shpalljes familjarisht “non grata” nga State Department, Berisha sigurisht që ndodhet në një moment kritik dhe të pashpresë. Si çdo njeri, që i ka hyrë me vetëdije pakthim rrugës së krimit, ai do të tentojë deri në fund të lehtësojë gjendjen e tij dhe të familjes së tij, duke synuar edhe shmangien e fundit, të cilin ia kanë rezervuar me shumë seriozitet Shtetet e Bashkuara. Berisha tashmë është tërësisht i rrënuar moralisht përpara të gjithë opinionit publik dhe dukshëm shumë pranë përballjes me ligjin. Në mënyrë instiktive dhe djallëzore njëkohësisht, ai po përpiqet që të luajë aktin e fundit të kartës së destabilitetit, kartë të cilën e ka luajtur jo pa sukses deri më tani.
Kjo është e vetmja zgjidhje që i ka mbetur atij dhe për të cilën ai ushqen iluzionisht një farë shprese. Kjo kartë nuk mund të luhet pa një grupim politik të mirëinvestuar, mirëmotivuar dhe pasuar nga falangat e krimit të cilat në këtë rast tek fundi i tij shohin edhe fundin e tyre dhe të parajsës së tyre. Jo pa qëllim Shtetet e Bashkuara kryen një diversion të plotë, duke ndarë me sukses prej tij, një pjesë të konsiderueshme të PD-së, përfshirë edhe vetë kryetarin e saj Basha, i cili ishte katapultuar aty prej Berishës, pikërisht si garanci e tij, për këtë ditë të hallit ku ai ndodhet sot. Distancimi që Basha bëri karshi tij, ishte goditja e dytë e madhe që pasoi Berisha pas shpalljes së tij “non grata” me 19 Maj 2021.
\
Duke qenë se Bashën ai e ka konsideruar gjithmonë një tokë të butë, të paaftë për t’i shprishur punë atij, Berisha filloi fushatën e denigrimit kundër tij, duke e servirur atë demagogjikisht, si një luftë për mbrojtjen e vlerave të rrezikuara të pluralizmit dhe sovranizmit. Si fillim ai e ka marrë shumë lehtë përballjen me Bashën dhe kjo u duk nga krekosja e tij nëpër foltoret, të cilat i trajtoi si jetike dhe faltore, por që i kthehu shumë shpejt në baltore. Si politikan i vjetër, ai e trajtoi këtë moment si sfidë, pra për ta kthyer në favorin e tij, duke menduar se rikthimi në krye të PD-se do të ishte thjeshtë një parakalim ceremonial në një rrugë të mbushur me pekule.
Mbushja e Stadiumit Arena, ia përforcoi atij këtë bindje, sidomos duke pasur parasysh edhe përvojën e mëparshme, ku ai ka qenë i suksesshëm në përdorimin e forcës përkundër kundërshtarëve të tij në politikë dhe jashtë saj. Ai besonte në mitin e tij dhe logjistikën pas tij. Për t’ia rritur vlerën manovrave të tij dhe për të dhënë qartë mesazhin aty ku duhej, ai i mëshoi tashmë idesë së revolucionit, duke premtuar se me të nuk bëhet shaka dhe se ai do ta bënte realitet të paktën pasojën kryesore të revolucionit, mbretërimin e terrorit, “The Reign of Terror”. Duke parë motivimin, hallin e tij me drejtësinë dhe Shtetet e Bashkuara, mbështetësit e tij të pailuminuar siç duhet të jenë revolucionaret e vërtetë, por të motivuar nga plaçka e premtuar pas ardhjes në pushtet, me plot gojën mund të themi se Berisha synoi një kundërrevolucion.
Ai kurrë nuk u atakoi politikën e taksave, sistemin ekonomik, fitimin e lartë të një kaste oligarkike, duke argumentuar një rishpërndarje të pasurisë si produkti real i revolucionit, por thjeshtë ofroi veten dhe rikthimin e tij në krye të PD-së dhe qeverisë si zgjidhje. Thjeshtë, ai i veshi lëvizjes së tij brekët e revolucionit dhe e nxori atë në fushë, pa menduar gjatë pasojat dhe rezultatin. Revolucioni çuditërisht nuk e drejtoi tytën e tij karshi qeverisë, por kthehu si objekt kryesor të tij marrjen e godinës kryesore të PD-se, rrëzimin e kryetarit Luli dhe uzurpimin e postit të tij nga Saliu.
Saliut i duhej statusi i kryetarit të PD-së, për të bërë më serioze dozën e tij të kërcënimit lidhur me destabilizimin, si dhe për ta kthyer PD-në në një bunker për sigurinë e tij dhe të familjes, duke e keqpërdorur deri në fund atë parti. Nuk kam dyshim se, Saliu e ka konsideruar si pronë, mjet dhe vegël PD-në, për vete dhe familjen dhe ky ishte momenti që PD-ja të sakrifikohej për të.
Nëse Basha realizoi një bunkerizim material të PD-së, Saliu tentoi të realizonte një bunkerizim universal të saj, përfshirë edhe atë politik, mjaft që ai të mos përballej i vetëm me fatin e paracaktuar të tij. 8 Janari 2022, ishte Stalingradi i Sali Berishës, rrënimi i mitit të forcës dhe pathyeshmërisë së tij si dhe turpi i tij. Ai ndërseu pa u menduar dy herë turmën rreth tij, drejt një vëllavrasjeje të padëgjuar më parë në historinë politike moderne. Saliu tregoi se është i paskrupullt dhe se ai për egon dhe interesat e tij, bën gjithçka.
Ai tregoi natyrën e pandryshuar gjakatare të tij, dhe konfirmoi se me të duhet komunikuar vetëm ligjërisht. E turpshme dhe e pafalshme, që një ish-president dhe ish-kryeministër, të inkurajojë, organizojë dhe realizojë një gjakmarrje, duke rrënuar përfundimisht konceptin ligj dhe shtet, si dhe duke e kthyer vetveten në një gjykatës, përmbarues dhe ndëshkues.
Pavarësisht se përfundoi i rrahur dhe i dërrmuar politikisht për faqe të zezë në Bregun e Lanës, ai meriton ndëshkimin më të rëndë ligjor lidhur për sa i përket më sipër. Ai është i aftë të ndërsejë vëllanë kundër vëllait, dhe këtë gjë e tregoi me vepra, kur shokë të vjetër të një partie, që kanë qeverisur dhe vjedhur për dhjetëra vite bashkë, iu sulën njëri-tjetrit si çakej të tërbuar.
-Si shpjegohet që nuk pati asnjë procedim ndaj Berishës edhe pse ishte ai organizatori?
Kur e nisi aventurën e Bregut të Lanës, Saliu ka pasur disa garanci, midis të tjerave atë të mosndëshkimit. Pikërisht edhe për këtë fenomen ai është goditur nga State Department, si një minues i demokracisë, i cili ka marrë peng sistemin e drejtësisë dhe ka instaluar mosndëshkimin.
Ky mosndëshkim i shkon për shtat të gjithë politikës së vjetër, brenda dhe jashtë PD-së, pasi tek ndëshkimi i Saliut ajo sheh ndëshkimin e saj. Si fillim, Saliu duhej të ishte arrestuar në flagrancë, direkt pas deklaratave të tij dhunënxitëse, vëllavrasëse dhe të vetëgjyqësisë, për të parandaluar atë që pamë, për të mos thënë më pas se, kur çdo gjë që ndodhi, u realizua online përpara syve tanë, policia dhe prokuroria nuk kane asnjë alibi për qëndrimin antiligjor të tyre.
Këto dy institucione ligjzbatuese, nuk po realizojnë as pritshmëritë tona dhe as zbatimin minimal të ligjit, duke inkurajuar salillarët, të livadhisin pa fre, si mongolet kur kalonin Murin e Madh Kinez. Këto institucione kanë kontributin e tyre në instalimin e pandëshkueshmërisë, duke rrënuar pikërisht sigurinë juridike.
-Pas shpalljes “non grata” kishte zëra se Berisha mund të dalë para drejtësisë. A duhet të ndodhë kjo dhe a ka prova të mjaftueshme drejtësia për të vepruar?
As më pak e as më shumë, por Saliu ka mbi vetes dhe kundra vetes një mal me prova, të cilat qëndrojnë si sfidë për popullin tonë dhe institucionet e tij dhe si sëpata e Demokleut mbi kokën e vetë Saliut. Po të kishte lexuar sadopak Ciceronin dhe rrëfimin e tij, lidhur me shpatën, të cilën Dionisi i II ia vendosi mbi kokë Demokleut, sot ai do të ishte më i qetë dhe më njerëzor.
Ky pasivitet i organeve të drejtësisë, nuk do të jetë pafund, gjë të cilën ka filluar ta ndjejë edhe vetë Saliu, pasi vende të vogla si ne, në shumë raste imponohen nga jashtë në politikat e tyre të brendshme. Bandës së politikanëve hajdutë shqiptarë si Saliu, me ndihmën e miqve ndërkombëtarë po i vjen fundi. Kjo gjë është thjeshtë çështje kohe.
Si fillim duhet të shijojmë dështimin me turp të Saliut përballë Lulit. Edhe ky është një ndëshkim në llojin e tij. Tashmë atij iu vu një kufi, jo ekzaktësisht tek Thana, por aty ku e meriton, tek Lana. Luli e ndëshkoi me mjetet e tij, ballë për ballë duke i hequr çdo mundësi justifikimi për humbjen e turpshme.
-Ajo që bie në sy është se Meta e Berisha janë bërë bashkë. Çfarë i lidh këta dy personazhe?
Me shume se të vjedhurit që i kane bërë në mënyre solidare Shqipërisë, ata i bashkon fundi i tyre i njëjtë, frika nga ndëshkimi dhe dalja përpara ligjit. Kjo sigurisht me ndihmën e paçmuar të Shteteve të Bashkuara. Prej vitit 2017, unë e kam lexuar qarte bashkëpunimin e tyre dhe kjo gjë u pa qartë në protestën e 2 Marsit, kur Saliu i dha Likes në përdorim njerëzit e PD-së, për të mbushur Sheshin Nënë Tereza dhe për të përcjellë mesazhe force karshi Ramës dhe USAS-s.
Realisht tashme ata janë një dhe këtë gjë e provon më së miri edhe axhenda e tyre si edhe e faktorëve që janë përballe tyre. Jo vetëm USA, por edhe Presidenti Erdogan i trajtoi si non grata të dy këta persona, sidomos Metën i cili ështe edhe homologu i tij shqiptar. Pra, kemi një axhendë të qartë të politikës botërore, sidomos të aleatëve tanë strategjikë, të cilët kanë të njëjtin kohezion politik, lidhur me krimin e pandëshkuar politik shqiptar.
Vendimi është marrë, pritet zbatimi i tij. Kjo dyshe politike, e shpërfytyruar nga etja për pushtet, deri në zgjimin e plotë të shtazërisë brenda saj, e aftë për të vrarë edhe vete brenda sojit të saj, e lëshuar nga frerët e ligjit dhe arsyes, ka bindjen se, përsa kohe ka njerëz, që i shkojnë pas avazit absurditete të tyre, për aq kohë ka shpresë, për ta për të destabilizuar vendin në favor të interesave të tyre.
Sot ne jemi të qartë se cilët na kanë drejtuar dhe cilët mund të na drejtojnë përsëri, nëse ne e humbim durimin dhe qartesinë përballe tyre. Zoti e ka ruajtur këtë vend, nga një rikthim i tyre në pushtet vitin e kaluar.
-Presidenti ditët e fundit ka nisur një sulm frontal ndaj Kushtetueses. A janë qëndrimet e tij një lloj shantazhi para gjyqit për shkarkimin?
Patjetër që po. Sa herë që Meta hap gojën e tij apo të këshilltarëve të tij lidhur me parimet apo “shqetësimet publike”, gjithmonë kemi një shantazh si qëllim. Në mënyrë konsekuente, ky politikan mediokër, por hesapxhi i madh, ka heshtur si pulë, pasi ka realizuar me sukses pazarin e radhës, pas kryerjes se shantazhit. Edhe 2 Marsi ishte një mesazh, një shantazh, të cilin ai premton ta bëjë përsëri, por që sigurisht, do të ketë fatin e inkursionit famëkeq të Salit përkundër Bashës, në Bregun e Lanës. Këtë herë hesapet janë bërë pa hanxhinë. Ai mund të fitojë vetëm disa muaj kohë, por jo të shmangë përfundimisht fundin e merituar të tij.
-Ju e prekët pak më lart, si shpjegohet që amerikanet e kanë bojkotuar totalisht presidentin duke i bërë dalje nga çdo aktivitet dhe refuzojnë ta takojnë?
Shumë e thjeshtë. Ilir Meta ka prekur fundin e tij dhe është katandisur si Ramiz Alia qëmoti, kur si president në fillim vitin 1992, takonte vetëm miqtë e tij dhe ngrohte vetëm zyrën e tij, i abandonuar nga i gjithë faktori ndërkombëtar. Ilir Meta jo vetëm që ka zhvlerësuar veten e tij, por edhe vete postin e presidentit, prandaj na lind si detyrë t’i rikthejmë atij posti, dinjitetin dhe vlerën e duhur.
Realisht më dhimbset ai post i larte i vendit tim, kur shoh se në çfarë gjendje ka rënë. Prandaj nuk është çudi pse amerikanet dhe turqit së fundi, nuk denjojnë të ndoten nga kontaktet dhe marrëdhëniet me të. Ai thjesht është lënë në gjendje konservimi, në pritje të procedurës së përballjes me ligjin dhe me karmën e tij. Bojkoti amerikan, kuptohet si një shumëzim me zero dhe mesazh i qartë, për mosdakortesinë e tyre në lidhje me qenien e tij, në postin ku ai gabimisht dhe turpërisht është.
-Po situatën në PS si e shihni. U arrestua një ish-ministër, mendoni se do ketë të tjerë?
Në PS kemi një situatë të qetë në dukje, por jo poshtë saj. Ka ardhur koha që uji aty të qarkullojë pa u qelbur më tej, që të mos efektohet pakthim ajo si strukturë politike dhe qeverisja e saj. Sigurisht që shkërmoqja e PD-së i leverdis asaj si parti, por jo atyre personave që kanë llogari me ligjin, trafiqet, koncesionet, off-shoret, korrupsionin, etj.
Kambanat kanë rënë dhe PS duhet të futet sa më shpejt në një proces katarsisi, pasi jo vetëm ka nevojë të vetëpastrohet nga disa ish-ministra të zhytur në korrupsion, por edhe të rivitalizohet, rigjallërohet dhe rimotivohet. Shumë persona aty e kanë mbaruar misionin e tyre politik dhe mbahen aty artificialisht për inerci apo si formë e klientelizmit brenda strukturave. Janë këta persona që e mbajnë me frena dore procesin e rivitalizimit dhe qëndrojnë si bllokadë për çdo ndryshim të mirëpritur, duke sabotuar çdo nismë meritokracie, meritokraci brenda partisë dhe meritokraci në ushtrimin e pushtetit te saj.
Deri më tani kjo parti ka funksionuar nga lart-poshtë, gjë që ka disiplinuar deri diku grupet e interesit brenda saj, por në krahun tjetër meritokracia dhe konkurrimi i pastër i vlerave, është shumë larg asaj që duhet të jetë. Mendoj që kjo situatë, kur është arrestuar një ish-ministër, lidhur me çështjen e inceneratorëve, të trajtohet si sfidë, ku proceset e përmendura më sipër, t’i paraprijnë atyre gjyqësore, duke i lënë të korruptuarit vetëm përballë drejtësisë, pa i lënë ata ta kthejnë PS-në në bunkerin e interesave të tyre meskine.
Proceset brenda PD-së dhe ato në sistemin e drejtësisë janë kambana alarmi edhe për PS-në. Nëse do te tentohet drejt depolitizimit të administratës, deklientelizmit dhe depatronalizmit, sigurisht dhe të demotivohet pjesa më desktruktive dhe meskine e politikës, duke i dhënë frymëmarrjen e duhur vetë PS-së dhe administratës së vendit. Do të ishte largpamësi t’i paraprish ndryshimit, pa pritur të të marrë përpara ai. PS-ja e ka akoma këtë shans, por jo për shumë kohë.