Policia e Shtetit ka arrestuar Elson Markun, organizatorin kryesor të protestës së dhunshme në lagjen e re “5 Maji” në kryeqytet, i cili kërcënoi punonjësit e policisë, por edhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Ndaj Elson Markut, rëndojnë akuzat e “Kanosjes për shkak të detyrës”, e parashikuar nga neni 238 të Kodit Penal. Bashkë me Markun, policia ka nisur procedimet dhe për tre shtetas të tjerë Klodian Laçi, Ledion Mziu dhe Zelije Nexhi.
“Procedimi penal për këta shtetas filloi pasi sot më datë 19.01.2022, në rrugën “5 Maji” Tiranë, në zbatim të VKM me Nr.533 të datës 21.09.2021 “Për shpronësim për interes publik në funksion të procesit të rindertimit për zhvillimin e zonës së re, në perputhje me planin e detyruar vendor , përmes kompensimit me shkëmbim për të gjitha pasuritë që preken nga realizimi i projektit, për zonën e re në rrugën “5 maji” Bashkia Tiranë”, u bë shembja e 6 objekteve ,ku për mbarëvajtjen e ecurisë dhe ruajtjen e rendit publik, dhanë mbështetjen e tyre për zbatimin e kësaj VKM, efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe asaj F.L.O (Forca e Lëvizshme Operacionale), në të cilën shtetasit e lartpërmendur kanë kundërshtuar dhe kanë treguar mosbindje ndaj veprimeve dhe urdhërave të ligjshëm të efektivëve të policisë së shtetit, ndërsa në një intervistë të tij për mediat shtetasi Elson Marku , ka kanosur Kryetarin e Bashkisë Tiranë Z.Erion Veliaj”, thuhet në komunikatën e policisë.
Elson Marku është një emër i njohur për Policinë e Shtetit, madje dhe objekt i OFL-së sëbashku me vëllain e tij. Në janar të vitit të kaluar dy vëllezërve u është sekuestruar 5 milionë euro pasuri.
Vëllezërit Sokol dhe Elson Marku dyshohet se pastronin paratë e drogës duke dhënë para me fajde, ku sipas prokurorisë ata u kanë dhënë personave V.Sh. dhe E.G..
Dy vëllezërve nga Mirdita, por me banim në Tiranë u janë sekuestruar makina luksoze, apartamente, lokale dhe biznese të tjera.
Elson Markut deri tani i janë sekuestruar makinë tip Chrysler, BMW, Ford, Porche. Ndërsa Sokol Markut i janë sekuestruar Audi dhe tre BMW.
Sokol Marku ka qenë i dënuar në vitin 2013 me 5 vite burg për veprën Penale “Prodhim dhe shitje e narkotikeve” dhe në vitin 2016 me një muaj burg për “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”.
Gjithashtu, nga të dhënat e marra dyshohet se dy vëllezërit merren dhe me trafikim të lëndëve narkotike në Itali.
Gjatë operacionit u vendos sekuestro për 18 automjete, 3 njësi sipërfaqe toke, 2 apartamente, 2 ndërtesa banimi, 2 ambiente bar-kafeje, 1 ndërtesë trekatëshe, me një vlerë të përafërt rreth 5 milion euro, disa prej tyre të përfituara nga dhënia e parave me fajde (konkretisht një bar-kafe, një vilë trekatëshe dhe 18 automjete Porsche, BMW, Mercedes dhe Audi), ndërsa pjesa tjetër e pasurive dyshohet se është përfituar nga aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve.
Prokuroria dyshon se dy vëllezërit që fshihen pas protestave të dhunshme te “5 Maji” fshehin dhe pasuri të tjera që mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.