Përpëlitjet e Sali Berishës, për të mos mbetur një “gogël” në jetën parlamentare, do sjellin ndryshime në përbërjen e grupeve, por pa asnjë fuqi për të penguar fundin e personit “non grata”.
Po kështu dhe Ilir Meta, nëpërmjet gruas së tij kryetare formale e LSI, paçka se ka vetëm 4 deputetë, po mendon dhe ka nisur investimin, për t’u bërë faktor ndikues në parlament, me delirin e fuqisë së numrave që diktoi krijimin e qeverive Berisha e Rama.
Në këtë moment, kur Berisha dhe grupi “Foltorja” janë përjashtuar nga PD, kur miku i tij Ilir Meta është në prag të daljes nga politika nga vendimi i shpejtë i shpalljes “non grata”, të dy janë bashkuar më fort se kurrë, sepse kanë nevojë për të ekzistuar në kupolën politike.
Këto lëvizje, ata jo vetëm e kanë menduar, por sipas burimeve e kanë filluar, dhe i lejon Rregullorja e Kuevndit për ta realizuar, mbasi të dy sëbashku i kanë numrat e deputetëve për të krijuar dy grupe parlamentare.
Konkretisht, Sali Berisha ka 11 deputetë të lëvizjes “Foltorja”, të cilët “de facto” janë jashtë listës së PD dhe ligjërisht e krijojnë një grup; ndërsa LSI ka 4 deputetë të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, po nuk mund të krijojë dot grup, mbasi minimalisht i duhen 7 deputetë.
Mirëpo pozicioni i vështirë i daljes nga politika, skedimi nga drejtësia, fundi i njëjtë si familje “non grata”, distancimi i PD-PS prej tyre dhe shpërfillja e ndërkombëtarëve, i ka bëre bashkë Sali Berishën e Ilir Metën, për të krijuar një “tellall me dy zëra” brenda parlamentit.
Sipas nenit 15/21 të Rregullores së Kuvendit, Sali Berisha me “Foltoren” dhe Ilir Meta me LSI-në, mund t’i krijojnë grupet parlamentare, por vetëm 6 muaj pasi Berisha dhe 11 deputetët e tij të deklarohen për grupim të ri.
Nëse Ilir Meta e ka logon e LSI-së dhe do marrë 3 deputetë nga “Foltorja”, Sali Berishës do t’i duhet të krijojë një parti të re, ose të deklarohet si grup parlamentar i pavarur.
Me dy grupet e tyre parlamentare, Sali Berisha e Ilir Meta, përveçse po ëndërrojnë të diktojnë e bllokojnë parlamentin, kanë dhe përfitime të shumta suplementare nga shteti, si fonde, pagesa shtesë, zyra, dieta, makina e sekretare.
Por synimi i tyre kryesor me këtë skenar, është të përfitojnë nga prezenca në delegacione e takime ndërkombëtare, me qëllim për të ri-vendosur lidhjet politike me personalitete të BE, mirëpo përbërja e delegacioneve të grupeve parlamentare, caktohet nga Byroja e Kuvendit që dominohet nga PS-PD.
Me afatin 6 mujor që përcakton rregullorja, krijimi i grupeve parlamentare të Foltores e LSI, përkon dhe me muajin korrik 2022, kur Ilir Meta largohet nga Presidenca e bëhet kryetar partie, pse jo dhe me krijimin e një partie të re nga “non grata” Sali Berisha.
Siç duket, pas muajit korrik do kemi 3 parti me kryetarë persona “non grata” nga SHBA: dy ish-kryeministrat e ish-Presidentët Sali Berisha e Ilir Meta dhe (ar)mikun e tyre Tomë Doshi i PSD./Pamfleti