Juristja Brisida Gjikondi komentoi situatën politike në vend, ndërsa shpërtheu në akuza të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe presidentit Ilir Meta.
Teksa ishte e ftuar në një studio televizive, juristja Gjikondi tregoi se Sali Berisha nuk ka asnjë shans të bëhet pjesë e garës për zgjedhjet e pjesshme lokale, pasi në to ligjshmërinë për të hyrë e ka Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha.
“Zgjedhjet janë pozitive, vë në plan të parë PD, sidomos Bashën, i cili duhet të tregojë sa i orientuar është. Ai do të ketë pengesë Berishën, ndërsa ky i fundit ka 0 shanse për të hyrë në zgjedhje. Berisha ka 0 shanse për të hyrë në zgjedhje dhe për të bërë parti të re!
Mund të regjistrohet me kandidat të pavarur, koalicion nuk bën dot sepse nuk është parti me letra”, deklaroi ajo. Më tej aktivistja Gjikondi theksoi se vendimi i presidentit Ilir Meta për të shpallur datën zyrtare të zgjedhjeve të pjesshme vendore përmes një media privat dhe jo direkt me një dekret, ishte skandaloz dhe se ai është shndërruar në një karagjoz.
“Është skandaloze, qesharake dhe e turpshme që kemi një president si Meta që preferon që një datë zgjedhjesh ta shpallë në një media private. Kjo tregon nivelin e presidentit tonë.
Ai duhet të flasë me akte, vetëm me dekrete, jo në emisione private. Sa herë ka pasur zgjedhje të pjesshme lokale, nuk janë thirrur për konsultë partitë politike. Nuk ka nevojë. Ai e bëri kastile këtë, është bërë karagjoz e bëri për të goditur Bashën, ai është pozicionuar pranë Berishës”, u shpreh ajo.
Ndërkohë Gjikondi është shprehur gjatë bisedës se Ilir Meta meriton çdo procedurë që ka nisur ndaj tij dhe se ai do të shkarkohet së shpejti si President i Republikës, ndërsa pas kësaj do të shpallet “non grata”. Madje, zonja Gjikondi theksoi se masa tjetër që e pret Metën është sekuestrimi i pasurisë.
“Mendoj dhe shpresoj që Meta ka 0 shanse t’ia hedh me Gjykatën Kushtetuese. Mendoj që shkarkimi i tij është i sigurt. Nëse ai shkarkohet në 1 shkurt atij do t’i komunikohet “non grata”, sepse amerikanët e dinë se kush është ai. Ndëshkimi i tyre nuk duhet të mbetet vetëm tek “non grata”, për mendimin tim duhet t’i merret çdo pronë, aty ku i dhemb më shumë”, nënvizoi Gjikondi.