Teksa gjithë vëmendja e debatit publik dhe politik është fokusuar tek përplasjet në Partinë Demokratike, situatë aspak të qetë duket se po kalon edhe Partia Socialiste.
Gazeta ka mësuar se pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të vitit që shkoi, janë aktivizuar klanet brenda PS-së. Sipas informacioneve, mësohet se rezultati që doli nga 25 prilli ka krijuar shumë qejfmbetje në radhët e socialistëve, të cilët tashmë kanë nxjerrë “shpatat” nga këllëfët dhe i kanë shpallur “luftë” njëri-tjetrit.
Mësohet se janë krijuar dy klane të forta, që po bëjnë një luftë të nëndheshme tejet të fortë. Kështu klani i parë përbëhet nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, zv/kryeministri Ahmetaj dhe Sekretari i PS, Damian Gjiknuri.
Ndërsa klani i dytë prihet nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Ky i fundit pas zgjedhjeve të përgjithshëm të prillit që kaloi, është lënë nën hije, ku pavarësisht se shpresonte që kryeministri Edi Rama ta përfshinte në kabinetin e ri qeveritar, të vetmin ofiq që mori ishte vetëm lënia drejtues i grupit parlamentar socialist.
Ndërkohë këto vendime të Ramës, kanë bërë që Balla të rreshtohet krah kryebashkiakut Veliaj, i cili ka pas vetes shumë deputetët të tjerë si Etjen Xhafaj, Fatmir Xhafaj, Toni Gogu, Etilda Gjonaj dhe shumicën e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PS. Mësohet se këtë klan, Veliaj po e ushqen dhe rrit çdo ditë, pasi ka ambicie për një mandat të tretë në krye të Bashkisë së Tiranës.
Balluku synon t’i marrë bashkinë Veliajt
Por ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj synon të rikandidojë nën siglën e Partisë Socialiste në zgjedhjet vendore për të marrë një mandat të tretë në krye të Bashkisë së Tiranës, në lojë është futur edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Kjo e fundit sipas burimeve nga selia rozë, mësohet se është hedhur në sulm për dhe madje ka shfaqur ambicien për t’i marrë bashkinë Veliajt.
Mësohet se në klanin që ajo ka krijuar për të dobësuar dhe mposhtur Erion Veliajn, zonja Balluku ka afruar pas vetes numrin dy të qeverisë “Rama 3”, Arben Ahmetajn dhe Damian Gjiknurin. Në këtë kontekst, mësohet se në prapaskenë po bëhet një luftë shumë e fortë, ku secili klan po punon fort, në mënyrë që të fitojë simpatinë e kryeministrit Rama, me qëllim që në zgjedhjet vendore të vitit 2023 ose zonja Balluku, ose zoti Veliaj të jenë kandidat për Bashkinë e Tiranës nën siglën e PS.
Kështu që nisur nga këto të dhëna dhe lufta e fortë që po bëhet në prapaskenë, duket qartë se pas Partisë Demokratike, edhe në Partinë Socialiste pritet të plasë skandali. Pra, përtej buzëqeshjes para kamerës dhe tentativës për t’i paraqitur publikut harmoninë që ekziston brenda PS, aty më së shumti ka intriga, thika pas shpine dhe luftë për pushtet.
Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht. Kujtojmë që disa nga deputetët aktualë të Partisë Socialiste janë shfaqur kritikë ndaj punës së qeverisë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, ku padyshim që më të ashpër janë treguar Fatmir Xhafaj dhe Erjon Braçe./Sot