Ish-deputeti demokrat dhe ish-kreu i PD Tropojë, Azgan Haklaj ka komentuar situatën politike e veçanërisht brenda PD, ndërsa ka shpërthyer në akuza të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, zoti Haklaj shprehet se Berisha dhe Meta po shkojnë drejt krijimit të polit të tretë kundër SHBA, pasi sipas tij, atyre nuk i interesojnë qytetarët, por halli i tyre personal. “Koalicioni PD dhe SHBA, apo poli i tretë “non grata” i fabrikuar nga trekëndëshi i Bermudës?!
Kjo është pjesa e fundit e xhunglës. Këtu dëshmohet qartë kontributi im për mbrojtjen e vlerave të demokracisë dhe për PD dhe arsyeja e kandidimit tim për deputet është vlerësimi i këtij kontributi dhe çeta e FB ta mësojë pa dilemë se nuk mu ka bërë dhuratë nga Sali Berisha.
Të gjithë ata që kanë qenë të paqartë për qëndrimin tim dhe rreshtimin në mbrojtjen e strukturave legale të PDSH-së e kuptojnë lehtë se unë nuk trembem nga kërcënimet anonime, nuk shantazhohem, nuk intimidohem, nuk blihem, as nuk shitem”, shkruan ai. Më tej ish-deputeti Azgan Haklaj u shpreh se ka ardhur koha që shqiptarët të zgjedhin të ardhmen dhe Lulzim Bashën.
“Ju shpreh mirënjohjen time më të thellë të gjithë demokratëve të Shqipërisë që kanë mbështetur strukturat legjitime të PDSH dhe kryetarin e saj të zgjedhur me referendum blu z. Lulzim Basha dhe solidaritetin me ne në këtë betejë epike për ndarjen përfundimtare me berishizmin, despiunizimin, dekomunistizimin, demercenarizmin politik, denepotizmin dhe jetësimin e sloganit:
“Siç është PD-ja sot, është Shqipëria nesër”. Të gjithë ata që mbështesin polin e tretë, koalicionin “non grata” fabrikim i trekëndëshit të Bermudës për rrëmbimin e opozitës të kthjellohen dhe të bëjnë një arsyetim përtej emocionit, hatërmbetjeve e inateve personale. Poli i tretë, apo koalicioni “non grata” nuk e ka shqetësim demokracinë as Shqipërinë, por hallin e vet e të familjeve të veta.
Shqiptarët tashmë e kanë të qartë së po hapet një kapitull i ri. Historia e dhimbshme e tranzicionit prej tre dekadash po mbyllet dhe po lind epoka demokratike. Shqiptarët do të zgjedhin të ardhmen. Përpara me Lulzim Bashën”, nënvizoi ish-deputeti demokrat dhe ish-kreu i PD, Azgan Haklaj.