Degradimi i futbollit në Shqipëri nën drejtimin e ‘beut’ Armand Duka, i cili nuk ka pasur dhe nuk ka kurrfarë lidhje me sportin më popullor në botë dhe Shqipëri, ka shkuar në skaje të paimagjinueshme.
Publikimi i listës së pagave konfirmon dyshimet dhe akuzat se klubet e futbollit nën ombrellën e FSHF-së së Armand Dukës, janë kthyer në një lavatriçe gjigante pastrimi parash, mashtrimi me taksat dhe evazioni fiskal.
Shumica e futbollistëve në Shqipëri, përfshirë edhe ata profesionistë, pjesë e skuadrave në Superiore, rezultojnë me pagë 30 mijë lekë në muaj, një shifër kjo jo vetëm qesharake, por diskredituese për qeverinë e futbollit.
Ndërsa anëtarët e kupolës së FSHF-së marrin një pagë deri në 5 mijë USD në muaj, futbollistët e Superiores, marrin një pagë 16 herë më të ulët, një tregues i qartë i mashtrimit me pagat dhe i operimit me bordero të paligjshme, për të shmangur taksat.
Paga e futbollistëve profesionistë, të cilët përballen çdo vit me skuadra evropiane, është e barabartë me pagën e pastruesve të FSHF-së. Nuk mungojnë as raste kur fotbulliste të kombëtares, me emër në arenën ndërkombëtare, nuk marrin as pagën formale minimale, por paguhen në të zezë.
Ndërkaq, Armand Duka rezulton se e ushtron ‘vullnetarisht’ detyrën e kreu të FSHF-së. Duka figuron me një pagë prej 40 mijë lekë në muaj tek kompania e tij e pularisë në Durrës, “A.I.B.A. Kompani”. Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, rezulton me një pagë prej 5 mijë USD në muaj, Armand Duka nuk figuron në listën e pagave si ekonomist pularie.
Me sa duket, i gjendur mes milionave prej dy dekadash, Duka nuk ka pasur nevojë që të ketë një pagë! Vetëm këto të dhëna do të mjaftonin e Drejtorinë për Parandalimin e Pastrimit të Parave, policinë, Prokurorinë e Tiranës dhe SPAK për të nisur një hetim për lëvizjen dhe kanalizimin e parave në futbollin shqiptar, gjatë mbretërimit 20-vjeçar të Armand Dukës.(Shqiptarja.com)