Në mbledhjen e grupit parlamentar kryeministri Edi Rama sulmoi dhe ironizoi Lulzim Bashën dhe Sali Berishën, duke vendosur theksin tek përçarja e tyre se nuk dinë se kujt populli po i drejtohen.
Ndër të tjera Rama paralajmëroi dhe shpalljen ‘non grata’ edhe të Ilir Metës, pasi e cilësoi atë si një lider edhe ‘grata’ edhe ‘non grata’.
“Të gjithë kundër të gjithëve për të provuar forcat mes të gjithëve. Dy parti Demokratike, njëra më e madhe se tjetra dhe një tjetër parti më e madhe se të dyja bashkë! 3 lider njëri grata, tjetri non grata, i treti të dyja bashkë edhe grata edhe non grata.
3 popuj pas tyre, populli i 11 dhjetorit, i 18 dhjetorit dhe i 2 marsit, ky treti i vërteti që merr jetë mes të parit dhe të dytit.
Kjo është oferta për demokratët dhe për të gjithë ato që e quajnë veten pjesë të këtyre tre popujve, ndërkohë që populli është i qartë për çfarë sheh. Në emër të këtyre tre popujve do të thirren 6 fushata. Rraqe-rraqe kikiko sa gishta janë këtu. Teksa rraqet do të hidhen mbi njëra-tjetrën, duke i kthyer 6 bashki në rraqe ne duhet të shikojmë punën tonë derë më derë nëpër të gjitha lagjet e këtyre bashkive.”- tha Rama.