Gjykata e Durrësit ka vendosur ‘arrest me burg” ndaj Arlen Hasanaj, i cili është arrestuar si autori i vendosjes së një sasie të vogël eksplozivi në portën e jashtme të vilës së kreut të FSHF Armand Duka. Por për avokati mbrojtës, Ilia Ilia ky vendim është abuziv dhe se prokuroria po mban në burg Hasanaj për interesat më të larta, pasi i duhet dikush formalisht në burg lidhur me këtë çështje.
Një nga pistat e hetimit të tritolit te shtëpia e Dukës ishte edhe inskenimi i këtij të fundit për të tërhequr vëmendjen nga skandalet e fundit që ai ka kryer me drejtimin e FSHF, dhe pikërisht këtë la të kuptohet edhe avokati, i cili tha se “për interesa të larta jepen vendime jo ligjore”.
Avokati përshkroi edhe njëherë me minuta nga ora 21.38 deri në orën 22.03 kur ndodhi shpërthimi se ku ishte Hasanaj, duke i vërtetuar këto me filmimet e kamerave të sigurisë të bizneseve të ndryshme, por për të prokuroria nuk i pranoi duke hedhur aludime se vepra mund të jetë krye në bashkëpunim. Avokati Ilia Ilia tha se do të apelojë vendimin.
“Që nga momenti i filmimit kur paguan faturën në qendren tregtare Megatek në 21.38 minuta, rruga e ndjekur deri në hyrje të Durrësit 22.00 ka qenë te ura e dajlanit, 22.02 hynë në rotondon kryesore të qytetit të Durrësit. 22.03 parkon te shtëpia e vetë, ndërkohë që në këtë orë është ndezur fitili te shtëpia e Dukës. Vetëm Batman e realizon këtë. Si duket ka interesa që dalin përtej interesave ligjorë, ka interes që të ketë një person që po ndiqet formalisht për këtë çështje”, tha avokati.
Hasanaj u arrestua 3 ditë më parë, ndërsa ka mohuar para hetuesve që të jetë ai personi që ka vendosur eksplozivin. Ditën e shpërthimit të tritolit në shtëpinë e Dukës në lagjen nr.4 në Durrës, Hasanaj është filmuar në qendrën tregtare ‘Megateg’ ekzaktësisht në orën 21:40, dhe në kohën që ka ndodhur shpërthimi në 22:03 në shtëpinë e Dukës, Hasanja po parkonte mjetin e tij në rrugicën përballë shtëpisë.
Arlen Hasanaj, 34-vjeçari rezulton pronar i një biznesi privat në qytetin bregdetar, më konkretisht i kompanisë ‘Euroshop Durrës’ themeluar në korrik të 2020, me ortak Albi Lika. Dyshimet e para janë se ngjarja ka ardhur si pasojë e një konflikti për biznesin, kur inspektorët e Tatimeve shkuan 2 ditë më parë për kontroll në ambientet e kompanisë së vezëve “Aiba”, në pronësi të kreut të FSHF-së, Armand Duka dhe vëllait të tij deputet, Agron Duka thanë se kanë pasur denoncim nga një klient i pakënaqur, që mendohet të jetë ‘Euroshop Durrës’. Pikërisht ky klient i pakënaqur dyshohet të jetë 34 vjeçari Arlen Hasanaj, i cili është edhe pronar i një dyqani vetëm 500 metra larg nga shtëpia e Dukës në Durrës, pikërisht aty ku dje vendosi lëndën plasëse.