Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do vendosë sot për transferimin e Saimirt Tahirit në një burg tjetër të sigurisë së zakonshme apo jo, për të shlyer 3.4 vite burg që shpalli më 4 shkurt GJKKO.
Burimet thanë se pritet që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të dalë sot me një vendim, nëse Tahiri nuk do të lëvizë nga burgu 313 ku u dërgua mbrëmjen e të premtes, apo do shkojë në një burg tjetër siç është 302-shi, apo burgu i Vaqarrit.
Ligji parashikon që një i dënuar duhet të qëndrojë në një burg që është afër vendbanimit të familjarëve të tyre që të kenë mundësi ta shikojnë.
Takimi i Tahirit me familjarët për momentin nuk lejohet, por mësohet se ditën e sotme ish- ministri do të ketë një takim me avokatin e tij mbrojtës Maks Haxhia, në orët në vijim.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë masat gjithashtu që për arsye sigurie, Tahiri të jetë i veçuar nga pjesa tjetër e të paraburgosurve për aq orë sa ai do qëndrojë aty, deri në akomodimin në një qeli burgu.