Ministri i Jashtëm rus vijoi me linjën e sulmeve ndaj SHBA-së duke e akuzuar këtë të fundit për histeri dhe për përdorimin e propagandës që të “mbulonte” sulmet e forcave ukrainase ndaj separatistëve rusë në lindje të vendit.
Përpara telefonatës, Blinken tha: “Ne jemi në pikën kur një pushtim rus mund të fillojë në çdo kohë nëse kështu vendos presidenti Putin”.
“Histeria në Shtëpinë e Bardhë po zbulohet më shumë se kurrë. Anglo-saksonët kanë nevojë për luftë. Me çdo kusht. Provokimet, dezinformatat dhe kërcënimet janë metoda [e tyre] e preferuar për të zgjidhur problemet e tyre”, shkruajti të premten në mbrëmje zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
“E gjithë bota po shikon se si militarizmi dhe ambiciet perandorake po ekspozohen,” tha Zakharova, duke shtuar se “brigada propagandistike e udhëhequr nga Bloomberg” është bashkëpunëtore në përshkallëzimin e vazhdueshëm të situatës.
Deklarata erdhi pasi agjencia e lajmeve me bazë në Nju Jork citoi burime amerikane të thoshin se Moska mund të pushtonte Ukrainën që të martën.
Javën e kaluar, Bloomberg botoi aksidentalisht dhe më pas e fshiu një lajm me titull: “Rusi pushton Ukrainën”. Bloomberg më pas kërkoi falje.
“Politico” dhe “Der Spiegel” botuan artikuj të ngjashëm që citonin zyrtarët amerikanë të paralajmëronin aleatët e tyre evropianë për një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës më 16 shkurt.
Kjo përkoi me një fjalim të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan, i cili u tha gazetarëve se Moska mund të lëshonte raketa dhe sulme ajrore në Ukrainë përpara se ta pushtonin atë me trupa tokësore.