Ajo që ka ndodhur në Tropojë me gjakderdhjen brenda fiseve, me bazë politikën nuk ka ndodhur në asnjë qytet e zonë të Shqipërisë në 70 vitet e fundit.
Ndërsa në Tropojë janë vrarë 200 djem, familja që e ka paguar më shtrenjtë politikën përçarëse e gjakësore është familja “Haklaj” e cila vazhdon t’i mbajë të hapura “llogaritë e gjakut” me familjen “Berisha”.
Sipas jurstit Romeo Kara që të vendoset drejtësi mbi këto krime Gjykata e Apelit, duhet t’ia kthejë dosjen Gjykatës së Shkallës së Parë për plotësim, ndërsa Gjykata e Shkallës se Parë duhet t’ia kthejë dosjen prokurorisë për plotësim hetimi.
Ai thotë se vetëm pasi të bëhet një hetim i plotë, do të dalë edhe motivi i “kasaphanës Tropoja”.
“Përtej çdo interesi apo presioni, gjykatat shqiptare, duhet të përgatiten për gjykimin e asaj që duhet të quhet “çështja Tropoja”, pasi një numër i paimagjinueshëm tropojanësh, u vranë në harkun kohor të pak viteve.
Krahas tyre u vranë edhe disa persona të tjerë, jo tropojanë.
Gjykata e Apelit, duhet t’ia kthejë dosjen Gjykatës së Shkallës se Parë për plotësim, ndërsa Gjykata e Shkallës se Parë duhet t’ia kthejë dosjen prokurorisë për plotësim hetimi.
Çdo skenar tjetër, nuk i shërben drejtësisë.
Pasi të bëhet një hetim i plotë, vetëm atëhere dosja mund të çohet në gjykatë, prej nga ku do të dali motivi i kasaphanës Tropoja, frymëzuesi dhe nxitësit, suportuesit e vrasjeve, urdhëruesit dhe ekzekutuesit për cdo vrasje dhe jo vetem për të ndjerin Hajdari.
Në këtë kuadër, prokuroria dhe gjykata do të zbardhin të plotë edhe vrasjen e Azem Hajdarit, si dhe intrigat që bënë të mundur këtë vrasje”, shkruan Kara.
“Kalendari” i vrasjeve në Tropojë
Data 16 qershor 1997
Vritet në dalje të urës së Milotit, Sokol Haklaj, ndihmësgjyqtar në rrethin e Skraparit, autorët e këtij krimi janë të pazbuluar
Data 5 janar 1998
Vritet në Qafën e Luzhës, në një atentat me armë zjarri automatike Shkëlqim Haklaj dhe Artur Demiri, kunati i Fatmir Haklajt
Data 5 janar 1998
Vriten në afërsi të fshatit Cërnicë Avdyl Matoshi, Gjon Kolbuçaj dhe Naim Dizdari. Autorët e këtij krimi janë të panjohur
Data 9 janar 1998
Vritet brenda qelive të komisariatit të Bajram Currit oficeri i policisë së kufirit, Shaqir Hoxha. Askush s’është dënuar për këtë ngjarje
Data 13 janar 1998
Persona të armatosur grabisin 480 milionë lekë në bankën e Tropojës dhe marrin peng policin e shërbimit, autorët të panjohur
Data 12 shtator 1998
Vritet në Tiranë deputeti i PD-së Azem Hajdari dhe Besim Çera. Vrasësit direkt të tyre kanë qenë Fatmir Haklaj dhe Jaho Salihi
Data 29 tetor 1998
Grabitet serish banka e kursimeve të Bajram Currit, grabitësit që dyshohen të kenë qenë me uniforma policie morën 620 milionë lekë
Data 4 gusht 1999
Vriten në afërsi të fshatit Cernicë, me mina të telekomanduara Halil Haklaj e Feriz Kërnaja, plagosen rëndë Fatmir Haklaj e Fatmir Daka
Data 4 gusht 1999
Vriten në qendër të qytetit të Bajram Currit, Bislim Hyka dhe Isuf Bashkurti, autorët e këtij krimi nuk janë zbuluar ende nga shteti
Data 13 tetor 1999
Vritet koloneli Jonuz Hyka së bashku me dajën e tij Musli Gjoçaj në lagjen Partizani të Bajram Currit. Vrasësit janë të pazbuluar
Data 4 nëntor 1999
Vritet në një pritë në fshatin Bujan, 50 metra larg banesës së Jaho Salihit, Fatmir Haklaj dhe Sami Kërnaja, plagoset Jaho Salihi
Data 13 shtator 2000
Sulmohen me armë snajper nga një komando, në fshatin Kërnajë, Haklajt. Autorët tentojnë të vrasin Hamdi Haklaj dhe Ylli Haklaj, por dështojnë
Data 3 dhjetor 2000
Vritet më armë snajper nga një komando me njerëz të armatosur, vetëm Ylli Haklaj dhe plagoset Bilbil Selivrada. Vrasësit mbetën të panjohur
Data 28 mars 2001
Sulmohen me armë zjarri nga një komando me njerëz të armatosur Haklajt. Shkëmbehet zjarr për më shumë se 30 minuta, s’kishte viktima
Data 31 tetor 2001
Hidhet në erë pallati ku banonte deputeti Azgan Haklaj, vritet Shote Haklaj dhe plagosen tre persona të tjerë, autorët mbetën të pazbuluar
Data 2 prill 2002
Vriten në lokalin “Ervin” në qytetin e Bajram Currit, Rasim Lumneshi dhe Ilir Gosturani. Vrasësja këtë herë është Zylfie Haklaj, vajza e familjes
Data 8 maj 2002
Vriten pas një atentati pranë spitalit të qytetit Elez Haklaj, 70 vjeç dhe djali i tij Çelë Haklaj, 43 vjeç. Autorët largohen dhe djegin makinën.