Nga Mero Baze
Për gati një muaj në ekranet tona është shfaqur një personazh, që në fakt nuk është personazhi simbolik i protestave, siç duan ta portretizojnë, pro personazhi simbol i tranzicionit shqiptar dhe pafytyrësisë së politikës shqiptare.
E quajnë “Nënë Liza”. Veshja, gjuha dhe biografia e shpjeguar e saj, na tregojnë një malësore që tranzicioni e ka përplasur në Tiranë, bashkë me fisin e saj. Kanë ndërtuar disa shtëpi në një cep të Tiranës ku ka qenë dikur fermë dhe tani duan të trajtohen jo vetëm si pronarë të shtëpisë që kanë ndërtuar, por dhe të tokës.
Nënë Lizës i hapin rrugë të gjithë. Policët bëjnë sikur e zbojnë nga rrënojat e shtëpisë, por në fakt e lënë aty. Deputetët e PD, këta që përherë betohen se një ditë prona do t’i kthehet pronarit, e marrin në krahë dhe e sjellin në Kuvend. Ata të “Foltores” së Sali Berishës, që në fakt është prodhuesi i “Njeriut të ri” të quajtur “Nënë Liza”, ka gjetur dhe mënyrën se si ta mbajë gjallë zemërimin e nënë Lizës, duke i thënë se asaj do t’ia prishin shtëpinë se do ndërtojnë kulla Rama me Bashën.
Vet nënë Liza ngjan një komuniste e thekur në formimin e saj. I akuzon policët se po sillen “si xhandarët e Zogut”, një krahasim që tregon indoktrinimin e periudhës komuniste, kur krahasimet negative bëheshin me Zogun dhe më pas thotë jo pa simpati, se “Enver Hoxha nuk të linte të flije jashtë, ta jepte një shtëpi”.
Pas kësaj i ka kapur të gjithë një dashuri e pashpjegueshme për nënë Lizën. Deputetë të majtë e të djathtë i rrijnë në krah, i japin të drejtë, i shpjegojnë shifrat etj. Edi Rama zbret nga makina e thërret në zyrë, i shpjegon kontratën që ajo merr metër për metër shtëpi të ligjshme, aq sa metra ka të paligjshme.
Shtypi e shpall heroinë. Dhe minimumi tani të gjithë janë të bindur se nënë Lizës nuk i duhet ngrënë haku. I duhen dhënë metër për metër gjithë çka ndërtuar në mënyrë të paligjshme mbi tokë të botës. Por nënë Liza dhe soji i protestuesve duan dhe më shumë. Duan të trajtohen si zot të asaj toke dhe të negociojnë të adhmen e zhvillimit të saj.
Ajo tani është një “heroinë” që i duhet vënë nderi në vend, falë një politike hipokrite që kërkon të bëjë personazhe të tilla, simbol të kauzave të gabuara të tyre, këto tridhjetë vjet.
Në gjithë këtë debat, ne e njohëm nënë Lizën, të afërmit e saj, ca djem të rinj që kanë qindra mijëra euro makina luksoze, por që luftojnë bashkë me nënë Lizën, të mos i dorëzojnë ato që kanë zaptuar etj.
Vetëm një njeri nuk e njeh askush dhe nuk flet askush për të. Pronarin e tokës që ka zaptuar nënë Liza, nipat, mbesat e fisi i saj. Ai nuk ndihet, nuk flet, nuk ka zë, nuk e adhuron njeri, nuk bën njeri betejë për të.
Dhe mirë me kaq. Se të pakën është i harruar. Se nëse ndodh dhe ja mësojnë emrin, mund të jetë i sulmuar dhe i përbuzur.
Kjo është Shqipëria e vitit 20022.
Nëse shkon tek fshati i nënë Lizës dhe kalon pa dashje në një livadh pa gardh, mund të dalë prapë nënë Liza tjetër aty e të thotë “se po shkel mbi livadhet e fisit tim e jemi në gjak”. Nëse nënë Liza vjen në Tiranë, zapton tokë dhe pastaj kërkon të drejtat e saj, bëhet heroinë e Shqipërisë.
Dhe kjo ndodh se “njeriu i ri” i këtyre tridhjetë viteve është nënë Liza, kurse i humburi është pronari legjitim. E djathta shqiptare që gjoja do mbronte pronat është me nënë Lizën. E kanë shpallur ikonë të tyre.
Madje dhe politikanë të pavarur të së djathtës që kanë një fije personaliteti sa i përket pronarëve dhe pronave, kanë zgjedhur “Nënë Lizat” tek Unaza e re, pasi ashtu siguronin mandate deputeti.
Nuk po flasim më për PD e Berishën pasi ata janë prodhuesit e njeriut të ri të quajtur “Nënë Liza”.
Kjo është arsyeja që ne nuk e njohim pronarin e tokës që ka zaptuar nënë Liza. Po të luftonim dhe për atë, si për nënë Lizën, sot nuk do t’i kishim këto probleme.