Të enjten klasa politike u vu përpara ultimatumit për të ndryshuar Kushtetutën dhe kjo sërish për t’i shërbyer reformës në sistemin e drejtësisë të nisur pesë vite më parë.
Ultimatumi i drejtohej në mënyrë direkte opozitës shqiptare, e cila është e përçarë në tre kampe, në PD të Bashës dhe të Berishës. Ndërsa pjesa e tretë e këtij grupimi përfshin katër deputetët e LSI-së dhe aleatë e tjerë të PD-së, PR, PAA, LZHK, PDIU.
Në sallën e Parlamentit kur po diskutohej për ndryshimet kushtetuese natyrshëm kishin nisur edhe negociatat për krijimin e lobimeve apo dhe të matjes së forcës së raporteve brenda opozitës. Sali Berisha që në krye të herës shpalli se nuk do të votonte për ndryshimin e Kushtetutës, ndërsa të pavendosurit ishin aleatët e dikurshëm të PD-së, por edhe vetë LSI-ja, e cila tashmë është në një koalicion me grupimin e ish-kryeministrit për zgjedhjet lokale në 6 bashki.
Por brenda opozitës kishte përçarje të votave dhe madje kjo mund të shihet si një tendencë se si mund të lëvizë raporti i forcave kur pritet që Parlamenti të përballet me zgjedhjen e presidentit. Ndërsa lufta mes Bashës dhe e Berishës është fuqizimi i tyre duke i marrë sa më shumë deputetë njëri-tjetrit për t’u bërë faktor si opozitë.
Natyrshëm presioni i ndërkombëtarëve ka bërë të veten për votat pro, por ka ndikuar dhe në mos bindjen e disave pavarësisht që “urdhëruan” të votonin pro, abstenim, apo kundër ndryshimit të Kushtetutës për Vettingun.
Kështu nga LSI-ja jashtë rreshtit ka dalë Agron Çela që ka votuar pro, duke mos abstenuar si katër deputetët e partisë së tij si Monika Kryemadhi, Petrit Vasili dhe Erisa Xhixho. Edhe pse e cilësoi këto ndryshime kushtetuese si një pakt të dytë të 17 majit, Kryemadhi preferoi të abstenonte duke mbajtur i dalë kundër ultimatumit të ndërkombëtarëve.
Brenda PD-së ka një miks mënyrash votimi në abstenim dhe mos pjesëmarrje. Deputetja Emilja Koliqi ka abstenuar për ndryshimin e Kushtetutës. Ndërsa nga grupi i PD-së nuk ishin prezent Flutura Açka, Tomorr Alizoti dhe Alfred Rushaj. Nuk dihen arsyet e këtyre mungesave, por Rushaj ishte një nga deputetët që ka pasur rezerva për linjën e mbajtur nga Basha dhe për përjashtimet e demokratëve tashmë të rreshtuar në grupin Berisha.
Edhe Alizoti ka qenë një ndër deputetët që nuk i ka mbështetur plotësisht përjashtimet, duke mos u rreshtuar në asnjërin krah. Ndërsa nga grupimi Berisha, nuk ka marrë pjesë Edi Paloka, i cili kohët e fundit është tërhequr nga përballja me Bashën.
Aleatët e sotëm apo të dikurshëm të PD-së votuan pro ndryshimeve kushtetuese. Kjo përfshin Fatmir Mediun, Dashamir Shehun, Vangjel Dulen, Shpëtim Idrizin dhe Mesila Dodën. Edhe pse janë të pakënaqur nga Basha, ata duket se në këtë moment nuk mund t’i bashkoheshin thirrjes së Berishës për të mos votuar ndryshimet kushtetuese. Një gjë është e sigurt se ky votim mund ti vlejë edhe mazhorancës për të eksploruar dhe negociuar në të ardhmen zgjedhjen e presidentit. Ky bashkim i parë votash për vettingun solli 108 vota pro dhe 4 abstenime.
Nuk ishin prezent
Flutura Açka PD
Tomorr Alizoti
Edi Paloka
Alfred Rushaj
Nuk votuan
Sali Berisha
Oerd Bylykbashi
Luçiano Boçi
Isuf Çela
Belind Këlliçi
Bujar Leskaj
Edmond Spaho
Agron Shehaj
Tritan Shehu
Flamur Noka
LSI
Agron Çela pro ndryshimeve kushtetuese
Abstenim
Emilja Koliqi PD
Monika Kryemadhi LSI
Erisa Xhixho
Pertit Vasili
Pro nga aleatët
Agron Duka, Dashamir Shehi, Shpëtim Idrizi, Mesila Doda, Fatmir Mediu (abstenon te reforma zgjedhore) (Shqip)