Gjykata Kushtetuese këtë javë pritet të dalë me vendimin paraprak për fatin e presidentit Ilir Meta.
Pas 3 seancave gjyqësore, trupa u tërhoq për vendim dhe sipas burimeve, Kushtetuesja do të dalë fillimisht me një njoftim paraprak nëse shkarkohet apo jo presidenti dhe më pas brenda 30 ditëve do të publikohet vendimi i plotë.
Sipas burimeve në këtë gjykatë, gjatë ditës së enjte dhe të premte ka pasur dy mbledhje nga gjyqtarët ku është diskutuar pikërisht për vendimmarrjen. Mësohet se e vetmja gjyqtare që është në krah të presidentit deri tani është Sonila Bejtja.
Madje mësohet se në këto mbledhje ka pasur dhe ngritje toni prej saj, duke e cilësuar absurde kërkesën e Kuvendit për shkarkimin e kreut të shtetit. Sipas informacioneve, pritej që të premten të arrihej një lloj dakrodësie mes gjyqtarëve dhe kjo nuk është bërë e mundur, prandaj pritet që këtë javë të kemi një konkluzion final nëse shkarkohet apo jo kreu i shtetit.
Presionet e Metës
Presidenti Ilir Meta duket se i trembet një shkarkimi. Fakti që ka nisur sulmet dhe akuzat ditët e fundit, ndërkohë që është shumë aktiv, tregon se kreu i shtetit i druhet një vendimi negativ. Mësohet se ai po lufton fort që të kemi një vendim 4 me 3.
Sipas ligjit, duhet të kemi një rezultat 5 me dy që të shkarkohet presidenti, pasi nëse kemi rezultat 4 me 3 po në favor të shkarkimit, nuk ka dot vendimmarrje dhe presidentit rri në detyrë. Meta një votë e ka të sigurt, por po lufton fort për dy të tjera. Ajo që vihet re është se ka nisur një presion i fortë ndaj Marsida Xhaferllarit.
Ajo është bashkëjetuesja e deputetit Enkelejd Alibeaj dhe mediat pranë presidentit kanë nisur sulmet dhe presionet, duke e akuzuar se ajo u fut në Kushtetuese falë lidhjeve politike. Nga ana tjetër vetë Sali Berisha ja ka përmendur Alibejat duke treguar qartë se kanë nisur shantazhet që dhe Xhaferllari të mos votojë pro shkarkimit të presidentit.
Ndërkohë mësohet se dhe në prapaskenë po luhet fort. Mos harrojmë se presidenti pak ditë më parë përmendi disa shifra ku u duk sikur ju bënte thirrje anëtarëve të Kushtetueses të vendosnin vetë se sa shifra donin të shtonin. Dyshimet janë se ishte një lloj kërkese për pazar.
Mesazhet politike
Meta po del çdo ditë në media dhe po shantazhon Kushtetuesen. Nga anë tjetër ai po dërgon mesazhe dhe në politikë dhe te ambasadorët. Meta ka hedhur si teori idenë e një mandati të dytë, por edhe për të shkuar ambasador. Presidenti duket se po lëshon mesazhe që ta lënë në detyrë, pasi në fund të mandatit do dalë nga politika dhe do shkojë ambasador. “Planin e kisha, të marr një mandat tjetër si president, nëse do pranonin.
Besoja se opozita do pranonte. Për një president pas Ilir Metës, që nuk ka eksperiencën e tij, të bëjmë disa ndryshime, dhe t’i lëmë presidentit të ardhshëm disa instrumenta që të mbronte shtetin. Më pas, do t’i futesha diplomacisë.
E kam menduar të bëhem ambasador në Danimarkë, apo Suedi. Unë e kam vështirë t’i hyj një karriere tjetër. Do më pëlqente shumë ideja ambasador në Danimarkë apo Suedi”, tha Meta. Pra duket sikur presidenti ka shtrirë dorën e pazareve për të shmangur një shkarkim nga Kushtetuesja./Kliti Topalli