Pas Check Up, dalin në dritë skandale edhe me koncesionin e Hemodializës. Kontrolli i Lartë i Shteti gjatë një auditi që ka kryer në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, ka zbuluar shkelje me të tria koncesionet në shëndetësi, atë të Check Up, hemodializës dhe sterilizimit.
Sa i takon dializës, koncesioni u fitua nga shoqëria “Dia Vita” shpk, me nr.1503/44, datë 10.02.2016 “Për ofrimin e hemodializës” mundëson ofrimin e shërbimit të dializës në 5 rajone.
Pjesë e kësaj kompanie janë “Evita SH.P.K dhe Spitali Amerikan. Në Fond kjo kontratë ka ardhur së bashku me kontratën e financimit me nr.710, datë 10.02.2016 “Kontrata për financimin e koncesionarit”.
Në këtë kontratë janë përcaktuar numri i projektuar i pacientëve në 156 seanca në vit (13 seanca në muaj) në rajonet Elbasan, Vlorë, Shkodër, Lezhë dhe Korçë. Sipas KLSH fondi paguan koncensionarin për numrin e projektuar të pacientëve dhe seancave, pavarësisht se numri efektiv i realizuar i pacientëve dhe seancave është më i ulët se projeksioni.
Nga muaji nëntor 2016 e në vazhdimësi, shoqëria “D V” shpk ka paraqitur kërkesat për pagesë, si dhe një sërë dokumentesh si faturë tatimore shitje, raport përmbledhës analitik për detyrimin e garantuar çdo muaj.
Pra që në muajin nëntor 2016, janë paraqitur kërkesa për pagesë dhe faturat me detyrimin sipas projeksionit edhe në rajonet Elbasan e Korçë, pavarësisht se këto dy qendra, kanë filluar nga funksionimi në muajt mars e prill 2017. “Nga Ministria e Shëndetësisë është
bërë me dije se, vetëm në muajin e 12-të të fillimit të funksionimit të qendrave, duhet përmbushur detyrimi i projeksionit të DST-së, edhe nëse në fakt shërbimi është ofruar me më pak pacientë.
Për pasojë, pavarësisht faturave të sjella nga konçensionari, drejtoritë rajonale të Fondit kanë paguar vetëm seancat efektive të kryera deri në fund të vitit 2018. Ndërkohë, jo të gjithë pacientët realizojnë 13 seanca në muaj”, thekson KLSH.
Sipas raportit, shpenzimet për shërbimet e hemodializës të kryera nëpërmjet kontratës së partneritetit publikprivat (PPP) zë 32.1% të vlerës së këtij shërbimi në institucione jo publike, pra për vitin 2019 janë likuiduar për 648 milionë lekë nga 586 milion lekë një vit më parë, ose 10.6% më shumë.
Financimi u realizua nga drejtoritë rajonale të fondit E, K, L, Sh, V. Sipas KLSH, për këtë kontratë për vitin 2019, u plotësua numri i pacientëve të projektuar, por ende ka probleme në projeksionin e përcaktuar për çdo rreth. Kështu në Shkodër e Vlorë nuk arrihet numri i seancave sipas projeksionit, nëtre rajonet e tjera, Elbasan, Korçë e Lezhë, realizohet dhe herë pas here tejkalohet projeksioni sipas kontratës.
Mungesa e seancave
Sipas raportit, në Qendrat e Dializës Shkodër, Korçë dhe Vlorë, nuk është arritur numri i seancave të dializës sipas planifikimit mujor të projeksionit në periudhën Janar – Dhjetor 2019, përkatësisht qendra Shkodër 1996 seanca dialize më pak (në total), Qendra Korçë 505 seanca më pak dhe qendra Vlorë 1469 seanca dialize më pak (në total).
“Totali i seancave të dializës të parealizuar sipas projeksionit mujor për 5 qendrat e dializës është 3970 seanca me një efekt financiar për diferencat e parealizuara sipas projeksionit mujor nga kontrata e financimit në shumën 44,475,910 lekë. Në qendrën e dializës E për periudhën Janar- Dhjetor 2019 dhe në qendrën e dializës L është tejkaluar numri i seancave të dializës me 4059 në total krahasuar me numrin e planifikuar mujor të seancave për vitin 2019.
Efekti financiar për Seancat e Dializës të Tejkaluara mbi numrin mujor të Projeksionit sipas detyrimeve të Kontratës së Financimit të Fondit për periudhën Janar- Dhjetor është 45,472,977 lekë”, thekson raporti. Ajo që bie në sy është se në të dyja rastet koncesionari, dhe në këtë rast Spitali Amerikan del i fituar.
Kur tejkalon plani, ai merr para shtesë, por në rastet kur nuk e tejkalon merr para për shërbimet e planifikuara edhe pse 3970 seanca nuk janë realizuar.