Luftë e fortë në prapaskenë për Gjykatën Kushtetuese. Që kur ka nisur reforma në drejtësi, ka pasur përplasje dhe beteja të ashpra për emërimet në Kushtetuese, por këtë herë do të ketë një duel “VIP”.
Presidenca dhe Kuvendi kanë nisur një proces për të emëruar dy emra të rinj në Kushtetuese, po ndryshe nga sa ka ndodhur deri më tani, vakancat në fjalë do të kenë mandat 9-vjeçar dhe për këtë arsye kanë shfaqur interes personazhe mjaft të njohur.
Të gjithë duan një mandat të plotë në Kushtetuese dhe për këtë arsye do kemi një betejë gladiatorësh. Presidenca mbylli garën dhe njoftoi se kanë shfaqur interes shumë personazhe të njohur. Kanë shfaqur interes kreu i KLP, Gent Ibrahimi, i cili e ka mbyllur mandatin dhe pritet të zëvendësohet.
Një tjetër emër që ka shfaqur interes është Arta Marku, ish-kryeprokurorja e përkohshme. Po ashtu është rikthyer në skenë Arta Vorpsi, e cila futi në sherr Kuvendin dhe Presidencës në vitin 2019. Emra të tjerë të njohur janë Maksim Qoku i KLGJ dhe Sandër Beci i KLP.
Po ashtu ka shfaqur interes Besnik Dervishi, Komisioneri për mbrojtjen e të Dhënave Personale. Emër tjetër është Ardita Buna pedagog, e cila ka garuar dhe më herët për këtë post.
Emër tjetër i njohur është Juliana Latifaj, ish-kryetare e Autoritetit të Konkurrencës. Ndërkohë këtë javë pritet që Kuvendi të mbyllë garën për vendin e hapur një javë më parë dhe sipas burimeve, shumë nga emrat e mësipërm garojnë dhe në këtë vend vakant. Por një emër i njohur pritet të jetë ai i Ardian Dvoranit.
Ky i fundit u sulmua shumë fort nga presidenti kur ishte kryetar i KED, me argumentin se kishte dëmtuar procesin e emërimeve në Kushtetuese. Sipas burimeve, Dvorani ka aplikuar pranë Kuvendit, ndërkohë që të njëjtën gjë kanë bërë dhe disa personazhe të njohur.
Ndërkohë Gjykata e Lartë ka hapur një vend për vakancën e Vitore Tushës dhe një për Gani Dizadarin. Ndëkrohë që pritet emërimi i pasardhësit të Fatmir Hoxhës. Për vendin vakant të Dizdarit kanë aplikuar pesë kandidatë, Brunilda Kadi, Ilir Toska, Holta Zaçaj, Manjola Xhaxho dhe Tartar Bazaj.
Gara e fortë mes kandidatëve
Pyetja që shtrohet është: kush do ketë fatin të shkojë në Kushtetuese? Momentalisht janë vetëm 3 vende vakante dhe sipas informacioneve, 3 figurat më të favorizuar janë: Ilir Toska, Ardian Dvorani dhe Gent Ibrahimi.
Gent Ibrahimi është momentalisht kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe ka një përvojë të gjatë si jurist. Ndërsa Ardian Dvorani ka shumë vite gjyqtar dhe i plotëson kushtet. Ai është i vetmi që është dekoruar nga amerikanët si kampion i luftës antikorrupsion.
Ndërkohë sa i takon emrit të tretë ai është Ilir Toska. Toska deri pak javë më parë mbante detyrën e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe ka një karrierë të gjatë në drejtësi.
Nga ana tjetër gazeta ka mësuar se 3 emrat e mësipërm përveçse janë të favorizuar, pritet të luftojnë dhe për kryetarin. Vitore Tusha është pa mandat dhe pasi të plotësohet gjykata duhet të zgjidhet kryetari dhe një prej emrave të mësipërm pritet të marrë këtë post.
Emrat që kanë shfaqur interes për në Kushtetuese
1. Ardita Buna, pedagoge
2. Arta Marku, ish-kryeprokurore
3. Arta Vorpsi, Drejtore e Kabinetit në Gjykatën e Lartë
4. Zoti Besnik Dervishi, Komisioner për të Dhënat Personale
5. Zonja Elida Take, notere
6. Zoti Gent Ibrahimi, kreu i KLP
7. Zonja Juliana Latifaj, ish-kryetare e Autoritetit të Konkurrencës
8. Zoti Maksim Qoku, ish-anëtar i KLGJ
9. Zonja Manjola Xhaxho, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë
10. Zoti Sandër Beci, ish-anëtar i KLP