Mesazhi i ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim për mbështetësit e “non gratave”, duket se ka alarmuar Ilir Meta.
Pak ditë më parë ambasadorja Kim ngriti pyetjen se çfarë u premtojnë votuesve, ata kandidatë, sponsori i të cilëve është caktuar “non grata” nga SHBA për korrupsion.
Kjo deklaratë e fortë e diplomates amerikane i referohej drejtpërdrejt ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit ka zgjedhur të kandidojë me kandidatët të tij nën siglën e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, ndërkohë që ishte edhe një mesazh për ata që mbështesin ish-liderin demokrat dhe kandidatët e këtij të fundit, duke iu kërkuar të distancohen pasi misioni i tyre është i destinuar të dështojë.
Por njëri nga politikanët shqiptarë që i ka dalë në mbrojtje Sali Berishës, pas shpalljes “non grata” nga DASH dhe përplasjeve me kryedemokratin Lulzim Basha, është presidenti Meta.
Zoti Meta ditën e djeshme u ndal në qytetin e Durrësit për të nderuar ish-futbollistin Vladimir Ajazi, i cili u nda nga jeta vitin e kaluar, ndërsa dukej qartë që mesazhi i ambadores Kim e kishte shqetësuar.
Meta kundër ambasadores Kim
Megjithatë kreu i shteti foli shkurtimisht për mediat, teksa iu bëri thirrje qytetarëve që të zgjedhin kandidatët më të mirë për zgjedhjet e 6 marsit.
Madje presidenti Meta shkoi deri atje sa iu kërkoi qytetarëve që të mos ndikohen nga askush sa i takon votës, pasi sipas tij, demokracia së pari është vendore.
“Unë jam i bindur se qytetarët e Durrësit, por jo vetëm, edhe të pesë bashkive të tjera, do të zgjedhin me vullnetin e lirë për kandidatët apo kandidatet më me integritet dhe që garantojnë një përkushtim sa më të madh ndaj komunitetit si dhe një përfshirje të tij sa i takon qeverisjes vendore.
Vetëm qytetarët të vendosin për të ardhmen e tyre dhe ne që ajo të gjithë të gjithë duhet të kërkojmë është një proces sa më transparent, sa më demokratik, një ballafaqim programesh, një ballafaqim idesh dhe në fund fare, të fitojë vullneti i qytetarëve dhe të fitojnë kandidatët më me integritet.
Së dyti, dua të theksoj edhe një herë se demokracia në radhë të parë është vendore, dhe kjo kërkon një rritje të përgjegjësisë së çdo qytetari për të shfrytëzuar, për të përdorur, për të investuar votën e tij”, deklaroi ai. Pra përmes kësaj deklarate, presidenti Ilir Meta ka dalë kështu kundër ambasadores Kim për kandidatët e 6 marsit.
Meta thirrje të mos abuzohet me taksat e qytetarëve
Më tej gjatë fjalës së tij, presidenti Ilir Meta komentoi edhe çështjen e inceneratorëve, ndërsa theksoi se sistemi i drejtësisë në vendin tonë duhet të zbatojë detyrën që i takon në bazë të provave dhe fakteve.
Madje Meta bëri thirrje që të ndalohen abuzimet e rënda me paratë publike. “Mendoj se në radhë të parë është përgjegjësia e institucioneve të drejtësisë të flasin për këtë çështje dhe për të gjitha çështjet e tjera mbi bazë të fakteve, mbi bazë të provave, për të besuar te drejtësia, dhe njëkohësisht për të parandaluar abuzimet e rënda me taksat e qytetarëve, me taksat publike dhe për këtë kërkohet sa më shumë efektivitet!”, nënvizoi Meta.