Autoritetet ukrainase dhanë alarmin se nivelet e rrezatimit janë rritur në zonën e Çernobilit, që nga momenti kur uzina bërthamore u mor nën kontroll nga trupat ruse.
Ekspertët e Agjencisë Atomike të Ukrainës njoftuan se nivelet e rrezatimit kanë ndryshuar për shkak të lëvizjes së pajisjeve të rënda ushtarake në atë zonë, lëvizja e të cilave ka bërë që të ngrihet në ajër pluhur radioaktiv.
Uzina e Çernobilit, që është jashtë funksionit, u mor nën kontroll nga forcat ruse në 24 shkurt, shumë shpejt pas Moska nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës. Ekspertët citojnë të dhënat e sistemit të automatizuar të monitorimit në zonën e ndaluar përreth uzinës, të cilat tregojnë se nivelet e rrezatimit atje, janë tejkaluar, por për momentin nuk paraqesin ende rrezik për publikun.
Në uzinën, e cila gjendet 130 kilometra në veri të Kievit, reaktori që shpërtheu në 1986 duke shkaktuar katastrofën më të madhe atomike të këtij lloji në botë, është mbajtur i mbuluar me strehë mbrojtëse për të parandaluar rrezatimin.
Shpërthimi i atëhershëm kontaminoi pjesë të mëdha të Ukrainës dhe Bjellorusisë, që çoi në krijimin e një zone të ndaluar rreth 2,600 kilometra katrorë, ndërsa shpërndau material radioaktiv edhe në shumë pjesë të tjera të Europës.