Turqia ka kthyer kurs 360 gradë lidhur me luftën e Rusisë me Ukrainën. Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavu?o?lu tha qarë të dielën se Turqia ka vendosur që pushtimi i Rusisë në Ukrainë është një “luftë”.
“A është ky një konflikt apo një luftë? Ne vendosëm për këtë. Neni 19 i Konventës së Montreux është shumë i qartë. Kjo është një luftë.” tha ai në një intervistë të drejtpërdrejtë për CNN Turk. Njohja e Turqisë është e rëndësishme për zbatimin e Konventës së Montreux të vitit 1936 që rregullon kalimin detar nëpër ngushticat turke.
Konventa e Montreux i jep Turqisë një kontroll të caktuar mbi kalimin e anijeve luftarake nga Dardanelet dhe ngushticat e Bosforit që lidhin Egjeun, Marmaranë dhe Detin e Zi. Në kohë paqeje, anijet luftarake mund të kalojnë ngushticat me njoftim paraprak diplomatik me kufizime të caktuara në lidhje me peshën e anijeve dhe armëve që ato mbajnë në varësi të anijes nëse ajo i përket një shteti të Detit të Zi apo jo.
Gjatë kohës së luftës, kur Turqia nuk është në luftë, anijet luftarake mund të përdorin ngushticat, përveç atyre që u përkasin shteteve ndërluftuese. Sipas konventës, nëse Turqia është palë e luftës ose e konsideron veten të kërcënuar me rrezik të afërt të luftës, ajo mund të mbyllë ngushticat për kalimin e anijeve luftarake që kanë një bregdet në Detin e Zi ose jo.
Kthesa 360 gradë e Turqisë
Turqia, e cila kufizohet me Detin e Zi, mund të humbë shumë nëse Rusia pushton Ukrainën. Ndaj presidenti Erdogan në ditën e parë kërkoi ndërmjetësim, por nuk i rezultoi sukses. Për Ankaranë është një çështje shumë e rëndësishme. Qeveria turke u përpoq të mbante raporte të mira si me Rusinë ashtu edhe me Ukrainën. Një pushtim rus i Ukrainës do ta vendoste Ankaranë para një dileme shumë serioze. Kjo është edhe arsyeja pse presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dëshiroi të ndërmjetësojë. Përpjekjet diplomatike të Erdoganit për të shmangur krizën ishin të pamundura.
Turqia varet nga gazi rus
Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Rusisë janë të ndërlikuara. Si një anëtare e NATO-s, Turqia blen sisteme ruse të mbrojtjes, pavarësisht mosmiratimit të NATO-s dhe SHBA-së. Ndërsa në çështjet e Libisë, Sirisë, Nagorno-Karabahut dhe Ukrainës e kundërshton Rusinë. Këto vende kanë marrëdhënie të mira ekonomike, por Turqia varet nga gazi rus. Vendi në Bosfor mbulon pothuajse të gjitha kërkesat e tij për energji nga jashtë.
Turqia ka konsumuar gjithsej 48.1 miliardë metra kub në vitin 2020, ndërsa 33.6 miliardë metër kub kanë ardhur nga Rusia. Shkalla në të cilën Turqia është e varur nga gazi i jashtëm u pa edhe një herë shumë qartë javën e kaluar. Për shkak të një defekti teknik, Irani ndaloi furnizimin me gaz. Pasojat: prodhimi në industri u ndal për disa ditë. Ndaj shefi ekzekutiv i kompanisë energjetike GazDay, Mehmet Dogan është shprehur shumë i shqetësuar.
“Le të supozojmë rastin më të keq”, thotë ai, duke përshkruar situatën me të cilën mund të përballet Turqia. “Nëse konflikti përshkallëzohet në verë dhe Rusia mbyll furnizimin me gaz, çmimet e gazit do të rriten në qiell. Më pas duhet të kalojmë te gazi i lëngshëm i shtrenjtë”, thotë ai. E nëse kjo ndodh në dimër dhe Rusia ndalon dërgesat, Turqia nuk do të kishte fare shanse, thotë Dogan. “Atëherë ne kemi mbaruar.” Por Turqia nuk është e varur vetëm në sektorin e energjisë. Vendi është i varur nga Rusia edhe në fushën e turizmit, pasi shumë vizitorë rusë shkojnë në këtë vend për të kaluar pushimet. Ndërkohë që Rusia është një treg i rëndësishëm i Turqisë, veçanërisht për produktet bujqësore.
Marrëdhënie të ngushta ekonomike me Ukrainën
Por edhe Ukraina po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për Turqinë. Turqia ishte vendi me më së shumti investime në Ukrainë në vitin 2020, thotë Burak Pehlivan, kryetar i kompanive turko-ukrainase, i cili jeton në Kiev për 12 vjet. Sipas tij, vëllimi i tregtisë midis Turqisë dhe Ukrainës ka arritur në 7.5 miliardë dollarë vitin e kaluar. Ndaj Ankaraja synonte të bënte çdo përpjekje për të parandaluar një përshkallëzim të mëtejshëm të krizës në Ukrainë, sepse ekonomia turke, e cila së fundi ka probleme shumë të mëdha, mund të pësojë dëme të tjera.