Gjyqtari francez që ka në dorë çështjen e Sali Berishës nuk ka pranuar të hapë gjyqin kundër Sekretarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Sipas burimeve, gjyqtari në fjalë nuk shikon asnjë fakt juridik për të mbështetur gjykimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit. Berisha ndërkohë ka hequr dorë nga propaganda e fitimit të çështjes në Paris dhe është kthyer në një luftë pa princip kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Si kundër peshë, ish-kryeministri Berisha ka shtuar sulmet ndaj ambadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim dhe anatemon investimin amerikan të Skavicës.
Berisha kundër SHBA-ve, tregues goditja e “Skavicës”
Por padia ndaj Blinken në Paris nuk është i vetmi tregues që Sali Berisha e ka kunjën dhe luftën me SHBA-të dhe jo me individët. Një gjë e tillë ka dalë në pah gjatë diskursit të fundit politik të ish-kryeministrit Sali Berisha, sikundër janë deklaratat e tij më të fundit në lidhje me ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës në zonën e Dibrës.
Teksa i kundërvihet ndërtimit të këtij HEC-i me rëndësi madhore, një mbështetje tërësisht amerikane që nga vizita e Nënsekretarit amerikan për Rritjen Ekonomike dhe Energjinë, Keith Krach ishte në Shqipëri për të firmosur një memorandum bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA e deri tek firma Bechtel, që nënshkroi me qeverinë shqiptare një memorandum bashkëpunimi, pikërisht për një ëndërr si Skavica, vihet re se Berisha nuk e paska inatin me Kim, Blinken apo Soros por me vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E themi këtë, sepse ka qenë pikërisht Berisha kryeministër fiks para 12 vitesh, i cili në mbledhjen e qeverisë së drejtuar prej më 3 shkurt 2010 e deklaroi ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës si një vepër shumë të madhe dhe jetike për vendin. “Ne duhet ta ndërtojmë Skavicën.
Kaskada është një pasuri e madhe dhe Skavica është kurora e kaskadës, nëna e të gjitha digave nën të. Parimi i këtij projekti do të jetë përmbytja më e vogël, prodhimi më i madh. Ndërtimi i saj ul në mënyrë shumë të ndjeshme e mundësitë e përmbytjeve të mëdha në zonën e nën Shkodrës dhe Shkodrës. Qeveria ka faktuar se në Shqipëri ekzistojnë mundësitë e ndërtimit të veprave botërore.
Skavica, përbën edhe nënën e digave nën të, në sensin e ushqimit të tyre të pandërprerë, me sasitë e nevojshme të ujit për turbinat e Fierzës, Komanit, Vaut të Dejës dhe Ashtës. Skavica jo vetëm që shton rreth 350-400 megavat prodhim energjie, por ajo optimizon tërë funksiononim e kaskadës”, deklaroi Berisha 12 vite më parë.
Mirëpo mbështetja e qeverisë shqiptare të drejtuar nga Edi Rama nga ana e qeverisë amerikane për ndërtimin e HEC-it të Skavicës dhe shpallja e tij familjarisht “non grata” nga SHBA në mesin e vitit të kaluar, ka bërë që kjo vepër madhore energjetike, të kthehet tashmë për Berishën në një “njerkë” sipas tij për Dibrën dhe Shqipërinë, të cilën tashmë e sulmoi edhe publikisht, duke treguar se ai nuk e ka “luftën” me Blinken, Kim apo ndonjë zyrtar të lartë amerikan, por me vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Rigels Seliman