Ushtrimi i detyrës për gjyqtarët që janë në hetim për shkelje flagrante të ligjit është dilema e qeverisë. Kryeministri Rama, nga Dibra tha se ky është një nga ato vendime i intereson mbështetja e qytetarëve dhe si një prove që vendimi buron nga nevoja e madhe për drejtësi e publikut.
“Ajo që shtrojmë është çështja që edhe nëse askush këtu s’ka pas probleme të drejtpërdrejta me sistemin, por ka ndjekur raste flagrante vendime që deri kanë arritur të tronditin opinionin publike vendime gjyqtarët që lirojnë një vrasës serial që pasi ka qenë i dënuar me burgim të përjetshëm pak nga pak i ulet dënimi deri sa del jashtë fare.
Ka raste të tjera po kaq flagrante në dëm të qytetarëve që nuk dalin në televizor, grabitje pronash sy për sy, këta janë gjyqtarë që nuk e kanë kaluar vetingun e janë në radhë e që e dinë që nuk e kalojnë dot se janë të zhytur deri në grykë.
Sot ligji është që nëse konstatohet shkeljet flagrante për këta nis hetim e në përfundim ata përjashtohen nga sistemi, por për sa kohe janë në hetim ata punojnë. Këtu pyetja që shtrohet është a duhen pezulluar automatikisht, pra jo të hiqen pa hetim, por ti ndalohet e drejta e ushtrimit të detyrës deri kur të përfundojë hetimi e këtë ndalim të drejtës ta bëjnë këto institucione që e bëjnë sot.
Kjo çështje është diskutuar dhe kur është bërë reforma në drejtësi ka pasur kundër e pro e në fund ka mbetur që nuk pezullohen nga detyra, por me çfarë po na shohin sytë e çfarë po na dëgjojnë veshët me këta që janë të mallkuar realisht, këta nuk ndalen e për këtë arsye ne jemi në këtë dilemë ta marrim vendimin që këta të ndalen”, u shpreh kryeministri Rama.
Gjithashtu kreu i qeverisë tha, se këto dilema i përballim dhe me partnerët që shpesh vijnë e flasin jo gabim, por pa marrë parasysh që ne jetojmë këtu, e do jetojmë këtu, ata vijnë e ikin, kurse ne i vuajmë në mënyrë të drejtpërdrejtë pasojat e gjërave që ndodhin këtu.