Ministria e Mbrojtjes ruse deklaroi këtë të mërkurë se trupat e saj kishin marrë kontrollin e plotë të qytetit të Khersonit, një zonë industriale me rreth 250 mijë banorë në jug të Ukrainës.
Por kryebashkiaku thotë se qyteti ende po mbahet nga forcat ukrainase.Nëse pretendimet e ushtrisë ruse janë të vërteta, atëherë Kherson do të ishte qyteti i parë i rëndësishëm në Ukrainë që do të pushtohej nga forcat ruse deri më tani.
Luftime të ashpra janë raportuar gjatë natës në qytet, ku kryebashkiaku tha se forcat ruse kishin marrë kontrollin e stacionit hekurudhor dhe portit.
Videot e shpërndara në mediat sociale tregojnë gjithashtu automjete ushtarake ruse dhe ushtarë që patrullojnë në rrugët e qytetit.